Koronavirusi, italianët mbyllen në shtëpi
Italia mbetet një nga epiqendrat e koronavirusit të ri, ku rritet në mënyrë konstante si numri i të infektuarve, edhe i viktimave. Vendi tani po aplikon masa të jashtëzakonshme për të ndalur përhapjen e epidemisë që ka shkaktuar mbi 100 të vdekur.
Italianët kanë nisur përshtatjen me një stil të ri jetese pas masave të reja kundër përhapjes së koronavirusit, që po shënon përditë afro 500 raste.
Në vend numërohen mbi 3 mijë të infektuar, ndërsa bilanci i viktimave është rritur mbi 100 këto dy javë.
Për të kufizuar sëmundjen epidemike, me dekret qeveritar, shkollat dhe universitetet do të qëndrojnë mbyllur deri më 15 mars, eventet më të mëdha sportive do të luhen pa tifozë deri në fillim të prillit, dhe janë ndaluar aktivitetet publike të çdo natyre.
“Nga kjo situatë, nga kjo emergjencë kemi për të dalë së bashku. Kur të marrë fund, do e kthejmë kokën dhe jam i bindur se do të jemi krenarë për atë që arritëm si vend, që u përballëm me kurajë dhe vendosmëri,” informoi kryeministri italian Xhuzepe Konte me një mesazh televiziv.
Të enjten u vërejt një numër i vogël qytetarësh në rrugët e kryeqytetit, pasi shumë kanë zgjedhur të punojnë nga shtëpia, ndërsa nëse dalin jashtë, janë udhëzuar të evitojnë përqafimet dhe takimet me duar, dhe të qëndrojnë një metër larg njëri-tjetrit si masë parandaluese për përhapjen e sëmundjes.
Në Milano, ku shumica e palestrave sportive janë mbyllur, banorët përfituan nga koha me diell për t’u stërvitur në parqe.
Sëmundja virusore mbetet e përqendruar kryesisht në rajonin e pasur dhe të populluar të Lombardisë, në Veneto dhe në Emilia-Romanjë, por rastet po rriten në mënyrë konstante në të gjithë gadishullin.
Fraksion.com