Henri Çili mohon akuzat: S’kam takuar asnjë gjykatës, çështja ime nuk është politike
Ai tha po ashtu se çshtja e tij nuk është politike, por lidhet me cilësinë skandaloze të drejtësisë.
Akuza 1-Mashtrim
Në kuadër të veprimtarisë time si ortak mazhoritar i studios ligjore nuk kam kryer asnjë veprim të paligjshëm dhe specifikisht në lidhje me akuzën e parë nuk kam mashtruar askënd për asnjë arsye dhe për asnjë çështje. Është një marrëdhënie shërbimi mes studios legale dhe personit të kontaktuar, të afërm në procese gjyqësore për shkallën e tretë janë bërë kontakte dhe biseda për të konkluduar në një kontratë shërbimesh në një moment të dytë, shërbime juridike në funksion të gjësë bazë që ka një studio ligjore, mbrojtja ligjore, për klientë të ndryshëm për çështje në shkallën e tretë.
Akzua 2- Falsifikim
Nuk kam falsifikuar asnjë dokument dhe nuk ekziston asnjë dokument i falsifikuar. As kam nënshkruar dhe as kam marrë pjesë në përpilimin e ndonjë akti për të falsifikuar një dokument të pretenduar nga prokuroria.
Akuza 3-Fshehja e të ardhurave
Nuk kam fshehur asnjë të ardhur. Sepse në të dy çështjet që dyshohet se kam kryer shkelje ligjore për një arsye të thjeshtë sepse nuk kam realizuar asnjë arkëtim, asnjë kontratë shërbimi për arsyen e thjeshtë se në të dy rastet kemi qenë në fazën e negocimit.
Akuza 4-Ushtrim i ndikimit të paligjshëm
Në lidhje me këto dy çështje, për të cilat pretendohet se kam kryer shkelje ligjore nuk kam takuar asnjë gjykatës asnjë përfaqësues të sistemit të lartë të drejtësisë, as unë dhe as avokatët e mi. Po ashtu në jetën time asnjëherë nuk kam takuar asnjë gjykatës apo funksion të lartë të drejtësisë për të ndikuar për vendime të ardhshme gjyqësore.
Akuza 5-Pastrimi i produktit të veprës penale
Përderisa nuk është realizuar asnjë e ardhur në lidhje me studion ligjore nuk ka mundësi të realizohet asnjë pastrim i veprës penale. Detyrimi i dy njësive të shërbimit nga ana e sipërmarrësit Seit Fishta në kompleksin Fishta në Velipojë është bërë me vullnet të lirë, konform ligjit dhe janë paguar taksat. Kemi folur me zotin Fishta për ide dhe projekte për të zhvilluar atje aktivitete të ndryshme. Është e vërtetë që kontaktin me zotin Fishta kam marrë shkas nga një lidhje miqësore e një prej klientëve të mi, por konteksti dhe arsyeja e dhurimit janë krejt të tjera dhe nuk lidhen fare me shpërblimet për çështjen Aliko.
Do ta apeloj vendimin- Do apeloj masën e detyrimit paraqitje, do të kërkoj pafajësinë dhe sigurisht dëmshpërblimin. Unë mendoj se çdo shkelje e ligjit duhet të marrë dënimin e merituar aq më tepër vrasja e një polici të rënë në krye të detyrës, por kjo duhet kryer në përputhje me ligjin dhe duke respektuar të drejtat e njeriut.
Fraksion.com