AktualitetBota+Të fundit

OBSH, thirrje kundër grumbullimit të maskave

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus u bëri thirrje të martën njerëzve në të gjithë botën të mos grumbullojnë maska dhe mjete të tjera mbrojtëse, duke thënë se ato, janë të nevojshme vetëm për punonjësit e shëndetit që luftojnë koronavirusin.

“Jemi të shqetësuar se aftësitë e vendeve të ndryshme për t’u përgjigjur po dëmtohen nga çrregullimet e mëdha dhe në rritje në furnizimin global me pajisje mbrojtëse personale të shkaktuara nga rritja e kërkesës, grumbullimi dhe keqpërdorimi,” tha Tedros gjatë konferencës së tij të përditshme për virusin.

Një ditë më parë, ai tha se bota është “në një fushë të paeksploruar” dhe se përhapja e përshpejtuar e virusit në Korenë e Jugut, Itali, Iran dhe Japoni është kërcënimi më i madh në botë. Të martën Tedros tha se “mungesat po i lënë mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë të vijës së parë të paaftë për tu kujdesur për pacientët me COVID-19”.

Tedros shpjegoi se koronavirusi ashtu si edhe gripi i zakonshëm sezonal shkakton probleme të frymëmarrjes dhe përhapet në të njëjtën mënyrë, por koronavirusi, saktësoi ai, nuk përhapet në mënyrë efikase.

Ai tha gjithashtu se COVID-19 shkakton raste më të rënda sesa gripi sezonal dhe se frenimi i koronavirusit është i mundur, ndryshe nga gripi sezonal.

Ndërsa virusi vazhdon të përhapet në botë, në Kinë po vihet re një optimizëm në rritje. Numri i infeksioneve të reja atje ra në nivelin më të ulët në disa javë dhe mijëra pacientë të shëruar kanë filluar të dalin nga spitalet.

 

Fraksion.com