Ambasadorja Kim: SHBA gardiane e transparencës së donacioneve
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim deklaroi sot se procesi i rindërtimit duhet të jetë proces transparent, llogaridhënës dhe rezultativ.
Duke folur në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit të mbajtur në sallën e mbledhjeve të qeverisë, Kim u shpreh se ‘e mirëpritëm mundësinë që të dëgjojmë planet tuaja se si do të bëni rindërtimin pas tragjedisë, pas tërmetit në nëntorin e shkuar”.
“Ne jemi shumë të lumtur, SHBA janë shumë të lumtura në fakt që kanë qenë pjesë e Konferencës së Donatorëve të realizuar nga BE. Rezultat e jashtëzakonshme të kësaj Konference përbëjnë jo vetëm një shprehje të solidaritetit me popullin shqiptar, por përbëjnë dhe një investim simbolik dhe real për Shqipërinë”, tha Kim.
“Kështu që është kënaqësi për ne që po shikojmë që ju po organizoheni brenda vetes për të realizuar atë çfarë juve thatë që duhet të jetë një proces transparent, llogaridhënës dhe të jetë rezultativ”, u shpreh Kim.
Ambasadorja Kim tha se ky nuk do të jetë rasti i fundit që SHBA qëndron pranë Shqipërisë në një moment të vështirë.
“Do të vazhdojmë të jemi krah jush, do të ofrojmë ndihmën teknike që do t’ju nevojitet për t’ju siguruar që donacionet nga vende të ndryshme nga e gjithë bota, përfshirë dhe donacionet tona do të shpenzohen në mënyrë të duhur në përfitim të qytetarëve shqiptarë”, tha Kim.
Fraksion.com