AktualitetPolitikëTë fundit

“27 mijë dokumente në 2 muaj”; Rama: Mbyllje të sporteleve deri në fund të marsit

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), ku në kuadër të shërbimeve të reja online që ofrohen për qytetarët, vetëm në 2 muaj (janar-shkurt 2020) janë gjeneruar 27 mijë dokumente dhe janë kryer 90 mijë aplikime.

Në kuadër të revolucionit dixhital 2020 po vijojnë lehtësirat në procedura për qindra e mijëra qytetarë përmes e-Albania, ndërkohë që në një vit parashikohen 90 vite kohë pritjeje të kursyera.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) është pararoja e revolucionit dixhital. Sot ofrohen në moment me vulë elektronike shërbime që merrnin muaj dhe para nga xhepi për sistemin tanimë të asgjësuar të korrupsionit si konfirmimi për gjendjen aktive të mjetit; vërtetimi për lejen e drejtimit dhe autorizimi për rifitimin e lejes së drejtimit.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se “në fillim bëhej nami me radhë, ndërsa tani të gjitha shërbimet bëhen online”.

“Ne duhet të shkojmë drejt mbylljes së sporteleve për qytetarët deri nga fundi i marsit. Do të fillojmë pak nga pak t’i mbyllim sportelet dhe t’u themi qytetarëve se të gjitha shërbimet mund t’i marrin nga shtëpia ose nga Posta, por nuk ka nevojë të vish të qëndrosh në radhë”, tha Rama.

Ai vlerësoi transformimin që është bërë në DPSHTRR, ndërsa theksoi se “ky ishte pazari i gjësë të gjallë ku të gjitha partitë që futeshin në tepsi vinin dhe bënin katrahurë e korrupsioni ishte skandal.

“Më parë merreshin patentat me indulgjenca korruptive partiake”, tha Rama.

 

Fraksion.com