“Madhështor për nga marrëzia”; Rama: Opozita u kthye në servis për të mbushur bulevardin
Në një intervistë për televizionin T7 në Kosovë, Rama tha se “sot partia më e madhe e opozitës u kthye në servis për të mbushur bulevardin, pavarësisht se sa arriti, në shërbim të shfaqjes së Ilir Metës”.
Rama tha se “nuk di që qeveria dhe shumica jonë të ketë më shumë pushtet se sa i jep e drejta kushtetuese si shumicë parlamentare dhe qeverisëse. “Nëse i referohemi pushtetit vendor që është disproporcional nuk është rezultat i marrjes në rrugë jodemokratike, me ushtrim të forcës për të eliminuar kundërshtarët nga zgjedhjet por si një vendim vetëvrasës për të mos hyrë në zgjedhje i opozitës, së cilës nuk i është cenuar liria dhe e drejta për të hyrë në zgjedhje”, tha Rama, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve mbi ndarjen e pushteteve.
Kryeministri tha se “nuk është e vërtetë që i udhëheq të gjitha”. “Të qeverisësh i vetëm është rezultat i zgjedhjeve. Në Britaninë e Madhe konservatorët qeverisin të vetëm, në Francë Presidenti ka shumicën në parlament ka dhe qeverinë se ka marrë votat. Në vende të tjera ndodh sipas vullnetit të zgjedhësve”, tha Rama.
Lidhur me Gjykatën Kushtetuese, Rama tha se “i gjithë diskutimi në drejtësi që kur ka filluar reforma ka një arbitër, partneri ynë i madh SHBA e BE e kanë mbështetur dhe monitorojnë shumë afër”. “Nëse dikujt i shkon mendja që SHBA dhe BE që monitorojnë nga afër reformën në drejtësi janë të kapura apo organizatë mafioze siç e quan Ilir Meta, i shkon mendja gabim sepse nuk do të ishte e mundur të bëhej gjithë ky investim nga partnerët dhe të lihej të kapej nga unë”, tha Rama.
Fraksion.com