Deputetët në seancë të jashtëzakonshme për taksën
Kuvendi i Kosovës mban sot seancë të jashtëzakonshme, pas paralajmërimeve të kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe e boshnjake.
Seanca do të fillojë në ora 11:00, me kërkesë të 41 deputetëve të opozitës.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës javën e kaluar konstatoi se kërkesa e deputetëve për seancë, i plotëson kushtet formale-juridike, andaj ajo do të mbahet sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues.
Kryeministri Kurti ka paralajmëruar se më 15 mars do ta heqë taksën ndaj lëndës së parë nga Bosnja e Serbia.
“Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në këtë fushatë miqësore, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, do ta heqë tërësisht tarifën për një periudhë 90 ditore. Nëse Serbia nuk e përfill qëndrimin e Kosovës dhe nuk fillon heqjen e barrierave, me fillim nga data 1 prill do të nisë zbatimi i reciprocitetit, njëherë me fushën e tregtisë e pastaj në fushën ekonomisë. Nëse pala serbe nuk reflekton as pas 90 ditësh për heqjen e tarifës për lëndën e parë, atëherë Qeveria nga 15 qershori do ta kthejë tarifën deri në zbatimin e reciprocitetit”, është shprehur Kurti.
Taksa ndaj mallrave serbe u vendos në nëntor 2018 nga ish-Qeveria Haradinaj.
Ky i fundit ka bërë thirrje disa herë që taksa të mos hiqet deri në njohjen e Kosovës shtet nga Serbia.
Fraksion.com