AktualitetTë fundit

Asnjë rast me koronavirus në Shqipëri; Manastirliu: 31 të testuar kanë rezultuar negativ

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Mansatirliu deklaroi sot në Kuvend se, “deri tani nuk ka asnjë rast me koronavirus në Shqipëri, ndërsa janë 31 të testuar që kanë rezultuar negativ”.

Në fjalën e saj në Kuvend, Manastirliu renditi disa nga  masat e marra për të administruar këtë moment të rëndësishëm sipas të gjitha protokolleve dhe rekomandimeve të OBSH-së dhe rregullores ndërkombëtare të shëndetit”.

“Ne kemi përforcuar masat për survejancën e infeksioneve respiratore dhe sistemin alert, kemi forcuar të gjithë kapacitetet laboratorike duke mundësuar kryerjen e analizës së plotë në ISHP në një kohë 8-12 orë. Kemi udhëzuesit si do të veprohet në transportin dhe ndjekjen e rastit”, tha Manastirliu, ndërsa theksoi shtimin e masave higjieno-sanitare në institucionet arsimore dhe publike.

Manastirliu tha se “14 mijë udhëtarë janë monitoruar në një javë në pikat tona kufitare”. “Mbahet skeda e individit dhe bëhet ndjekja e rastit me strukturat tona nëse e kanë të nevojshme. Më shumë se 1 mijë udhëtarë të skeduar po monitorohen. Janë marrë masa për rritjen e stokut të mbrojtjes së personelit, një element kyç për të rritur sigurinë në sistemin tonë shëndetësor. Për këtë janë akorduar 1 milionë dollarë, ndërsa janë shpërndarë 1.2 milionë maska në kujdesin parësor dhe spitalor”, tha ministrja.

Po ashtu, ajo tha se “është rekomanduar vetëkarantimi për 14 ditë për të gjithë udhëtarët, si dhe janë vendosur vende të posaçme sa i përket karantinës”.

“Komiteti i ekspertëve ka marrë masa për të vendosur Kavalishencën e Ministrisë së Mbrojtjes për karantinimin e personave të kontaktit. Kemi marrë masat për sigurimin e stokut të medikamenteve që përdoren edhe në raste të ngjashme të trajtimit të këtij virusi të ri. Janë marrë masa në spitalin Infektiv dhe në spitalin “Shefqet Ndroqi” për të administruar rastet dhe për për të përballuar sipas kapaciteteve aktuale të gjitha rastet që mund të paraqiten me këtë viurus të ri”, tha Manastirliu.

Ajo theksoi se “Urgjenca Kombëtare ka marrë të gjitha masat për të vendosur në dispozicion strukturat e saj për të pritur të gjithë telefonatat në rastet që paraqesin simptoma. Kemi shtuar kapacitetet e Urgjencës nga 1100 thirrje kemi arritur në 1500 telefonata në ditë, ndërsa kapacitetet janë shtuar në më shumë se 5 mijë thirrje në ditë”, tha Manastirliu.

Ajo theksoi se “kjo është një situatë që përballohet pa panik, mbështetur mbi evidencat shkencore dhe me solidaritet mes njerëzve”.

 

Fraksion.com