Tubimi i Metës më 2 mars; Rama: Nuk kam luksin të merrem me Presidentin që ka më shumë se 1 shtëpi
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “nuk do të merrem me Presidentin, i cili ka më shumë se një shtëpi, por jam këtu për njerëzit që jetojnë në çadra apo me qira”.
Në konferencën për prezantimin e projekteve të rindërtimit, Kryeministri iu përgjigj pyetjes për tubimin e thirrur nga Presidenti në 2 mars.
“Presidenti e ka shtëpinë dhe ka më shumë se një shtëpi. Unë jam këtu për shtëpitë e atyre që jetojnë në çadra apo me qira, për ata jam unë këtu jo thjesht në këtë konferencë, por në të gjitha orët e ditës time, bashkë me natën. Nuk merrem me Presidentin, është shumë luks i madh për mua”, – tha Rama.
I pyetur mbi nismën e disa socialistëve për të reformuar partinë, Rama tha se “socialistët nuk kanë asnjë problem me shtëpinë”.
“Nuk ka socialistë të vjetër, janë gjithmonë të rinj. Mos harro Dritëro Agollin, dekada më i moshuar se ju, por shumë më i ri se ju. Mos flisni për socialistë të vjetër. Të jesh socialist, do të thotë të mos jesh asnjëherë i vjetër. E dyta, jam këtu për ata që kanë humbur shtëpitë, socialistët e kanë shtëpinë ‘top’, kështu që kur ke shtëpinë ‘top’, të tjerat janë luks, të gjitha diskutimet e debatet. Nuk kemi problem me shtëpinë e socialistëve, e kemi ‘top’ për të gjithë, pa dallim moshe”, tha Rama.
Fraksion.com