AktualitetBota+Të fundit

Sinjalizuesi: Punonjës të painstruktuar, trajtuan të evakuuarit nga Kina

Një gazetë e njohur amerikane raporton se sipas një sinjalizuesi, amerikanët e evakuuar nga Wuhani, epiqendra e shpërthimit të koronavirusit në Kinë janë trajtuar nga një personel i painstruktuar e pa pajisje mbrojtëse i Departamentit Amerikan të Shëndetit e Shërbimeve Humane. (Termi “sinjalizues” nënkupton çdo person, i cili kallëzon apo zbulon informacione në lidhje me shkelje të ndryshme).

Sipas “The Washington Post” sinjalizuesi, identiteti i të cilit është mbajtur anononim, është një zyrtar i lartë i këtij departamenti i cili u “transferua në mënyrë të padrejtë në një tjetër detyrë pasi ngriti shqetësimin” mbi mundësinë e ekspozimit ndaj virusit të punonjësve të këtij departamenti.

Sipas artikullit, asaj iu kërkua të pranonte një pozicion të ri deri më 5 mars ose do të pushohej nga puna. Në ankimin e sinjalizuesit thuhej se punonjësit e Departamentit Amerikan të Shëndetit punonin krah stafit të Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve, të cilët kishin pajisjet e nevojshme.

Në ankesë thuhej gjithashtu se punonjësit nuk u monitoruan apo testuan nëse ishin prekur nga virusi si gjatë apo pas përfundimit të detyrës.

Amerikanët e evakuuar nga Wahani, u vendosën në karantinë në baza ushtarake që ndodhen në Kaliforni e Teksas. Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shëndetit Caitlin Oakley i tha gazetës se “ankesat e ngritura po merren shumë seriozisht dhe se në bazë të ligjit, sinjalizuesit i është ofruar mbrojtja e duhur“./VOA

 

Fraksion.com