Replikat Rama-Meta për pasuritë! E vërteta; Presidenti me 6 shtëpi, nga apartamenti 400 mijë € tek vila në Gjirin e Lalzit me vlerë misterioze
Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta kanë replikuar sot në distancë. Gjatë konferencës së rindërtimit, kryeministri Edi Rama, i pyetur nga gazetarja e Report Tv, Klesiana Omeri, për tubimin e thirrur nga presidenti në datë 2 mars, tha se Meta ka më shumë se një shtëpi dhe se nuk e ka luksin të merret me të dhe thirrjet e tij për tubim. Kreu i shtetit ka reaguar më pas, përmes zëdhënësit i Tedi Blushi, i cili tha se Meta ka vetëm një shtëpi.
“Lajmërojeni gruan e Bilalit se Presidenti ka vetëm një shtëpi: Shqipërinë. Sa shtëpi ka gruaja e Bilalit pyeteni vetë”, shkruan Blushi.
Po sa shtëpi ka në të vërtetë Ilir Meta?
Presidenti Ilir Meta, së bashku me bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, në bazë të deklaratave të pasurisë nga viti 2003 deri në vitin 2018, kur ka deklaruar për herë të fundit ndryshimet në pasuri, ka 6 shtëpi. Konkretisht Meta dhe Kryemadhi kanë një apartament banimi 2+1 në Tiranë, apartament banimi 200 metra katrorë te Rr. Barrikada në Tiranë me vlerë 400 mijë euro, vilën në Gjirin e Lalzit dhe tre apartamente në një pallat në Laprakë. Tek pallati në Laprakë, fillimisht Kryemadhi kishte 35 % të sipërfaqes së tij. Por, 300 m2 ndërtim tek ky pallat i ka shkëmbyer për të përfituar vilën ë Gjirin e Lalzit.
Ndërkaq, më vonë ka deklaruar edhe 13 apartamente në këtë pallat, nga të cilët ka shitur 10 me vlerë 890 mijë euro. Mbetet mister se sa është në të vërtetë vlera e vilës në Gjirin e Lalzit. Meta dhe Kryemadhi nuk e kanë deklaruar kurrë vlerën e saj, por vetëm burimin e përfitimit, që është shkëmbimi me sipërfaqen ndërtimore të pallatit. Vite më parë, Kryemadhi prezantoi me mburrje vilën përrallore në një emision televiziv, me 11 tualete, një posaçërisht për macen.
Pamjet filmike u zhdukën sapo nisën diskutimet për reformën në drejtësi. Si të ardhura të ligjshme të deklaruara, Meta dhe Kryemadhi kanë deklaruar vetëm pagat e tyre shtetërore. Kjo duket se është edhe arsyeja se pse Ilir Meta u fsheh sot pas Shqipërisë, kur Rama i përmendi sot shtëpitë.
Shtëpitë e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit
Apartament banimi 2+1, Rr. Qemal Stafa (2003)
Vilë në Golem, 60 000 dollarë, lulishte 327 m 2 (2003)
300 000 euro, shitje e vilës në Golem (2006)
35% e sipërfaqes së një pallati në Laprakë (2008)
Apartament banimi 200 metra katrorë te Rr. Barrikada 400 000 euro (2010)
Vila në Gjirin e Lalzit 317 metra katror shkëmbyer me 300 m2 te pallati (2010).
13 apartamente të banimit me sipërfaqe totale 1444.8 m2 (2014).
Shitur 10 apartamente me vlerë 890 mijë euro (2014-2018). Shqiptarja.com
Fraksion.com