Pompeo: Ulje e ndjeshme e dhunës në Afganistan në 6 ditët e fundit
Shtetet e Bashkuara kanë vënë re një ulje të konsiderueshme të dhunës në Afganistan përgjatë gjashtë ditëve tha të premten sekretari i Shtetit Mike Pompeo. Deklarata vjen një ditë përpara nënshkrimit të një marrëveshjeje të mundshme mes SHBA-së e Talebanëve mbi tërheqjen e trupave amerikane.
“Kemi parë në gjashtë ditët e fundit një reduktim domethënës të dhunës në Afganistan dhe po vëzhgojmë nga afër për të parë nëse Republika Islamike e Iranit do të ndërmarrë më shumë masa aktive për të dëmtuar përpjekjet tona për paqe e pajtim në Afganistan“, u tha Pompeo ligjvënësve të komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Të premten e kaluar sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe grupi Taliban njoftuan nëpërmjet dy deklaratash të lëshuara njëkohësisht se më 29 shkurt do të nënshkruhet një marrëveshje mes tyre, duke i hapur rrugën përfundimit të luftës më të gjatë jashtë territorit amerikan në historinë e SHBA-së.
Marrëveshja parashikon një tërheqje me faza të të gjitha forcave amerikane nga Afganistani në këmbim të garancisë nga talebanët se nuk do të lejojnë që toka afgane të përdoret për terrorizëm dhe se do të përfshihen në një proces pajtimi me pjesën tjetër të popullsisë afgane. Nënshkrimi i marrëveshjes po paraprihet nga një ulje shtatë ditore e tensioneve dhe konfliktit të armatosur që nisi prej së shtunës së kaluar në mesnatë me orën lokale, e që po vëzhgohet nga të gjitha palët e përfshira në konflikt.
Si forcat amerikane ashtu edhe talebanët e forcat e afgane të sigurisë kanë thënë se rezervojnë të drejtën për t’iu përgjigjur një sulmi në rast se do të ketë një të tillë.
Fraksion.com