AktualitetTë fundit

Manastirliu: Asnjë rast me koronavirus, shpërndahen 1.2 milion maska shtesë

“Deri në këto momente Shqipëria nuk është e prekur nga koronavirusi COVID-19, ndërsa janë kryer 18 testime për persona të dyshuar që kanë patur histori udhëtimi me vendet e prekura”.

Kështu deklaroi sot Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në mbledhjen e radhës së Task- Forcës. Ministrja kërkoi nga strukturat shëndetësore në territor rritjen e vigjilencës për të identifikuar në kohë rastet e mundshme dhe për të zbatuar konkretisht planin tashmë të hartuar të masave për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së COVID-19.

“Shqipëria nuk mund të jetë imune ndaj koronavirusit COVID-19 por jemi të gjithë bashkë për të bashkërenduar punën e strukturave në mënyrë që të bëhet më e mira e mundshme për të përballuar çdo situatë potenciale. Është koha të rrisim akoma më shumë vigjilencën në çdo strukturë”, tha Manastirliu.

Manastirliu ka deklaruar se që prej ditës së sotme në të gjitha strukturat shëndetësore ka nisur shpërndarja e 1.2 milion maskave shtesë.

“Përpos stokut që strukturat shëndetësore kanë, sot ka nisur shpërndarja e 1.2 milion maskave kirurgjikale në strukturat e parësorit dhe spitalet e vendit. Ndërkohë spitalet duhet të marrin masa për të rritur akoma më shumë stokun e mjeteve të mbrojtjes personale, me fondin prej 1 milion dollarë shtesë që kemi rialokuar në buxhetet e spitaleve, për të patur stokun e domosdoshëm për çdo situatë, me fokus tek QSUT”, u shpreh Manastirliu.

Gjatë raportimit në Task Forcë, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, deklaroi se po vijohet me trajnimin e ekipeve mjekësore në të gjithë strukturat, deri tani janë trajnuar mbi 800 profesionistë të shëndetit në të gjithë nivelet e sistemit shëndetësor.

Drejtuesi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, gjatë raportimit në mbledhjen e Task-Forcës, tha se Urgjenca Kombëtare Mjekësore ka marrë masat për të përballuar mbi 5000 thirrje në ditë në numrin unik 127, ndërsa aktualisht pret mbi 1500 thirrje, me një rritje prej 45%.

“Gjatë këtyre ditëve kemi pritur 326 thirrje që janë klasifikuar në kodin e ri Korona, të cilët janë ndjekur sipas udhëzimeve të komitetit të ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Brataj.

Najada Çomo, shefe e spitalit Infektiv në QSUT u shpreh në raportimin në Task-Forcë se, janë shtuar dhomat e izolimit, mjetet e mbrojtjes personale për personelin shëndetësor si dhe kushtet e duhura sipas standardeve, me personelin në gatishmëri për pritjen e rasteve potenciale.

Haki Çako, drejtori i Emergjencave Civile deklaroi në raportimin në Task-Forcë se strukturat e karantinës janë në gatishmëri, sipas standardeve të vlerësuara nga komiteti i ekspertëve.

Në përfundim të mbledhjes së Task-Forcës, Manastirliu deklaroi se do të bëhet më e mira e mundshme, fillimisht për të mbështetur stafin mjekësor dhe infermieror dhe për të koordinuar punën për të përballuar një situatë potenciale të koronavirusit të ri në vendin tonë.

Duke falenderuar median për bashkëpunimin, Manastirliu siguroi vijimin e transparencës maksimale për informacionet për publikun.

 

Fraksion.com