AktualitetTë fundit

700 mijë €, apartamente në Velipojë e toka! Marrëveshja e Çilit me Alikon për t’i liruar djemtë, takimet në Tiranë u filmuan e përgjuan

Sasia e eurove dhe pronave që dyshohet se i janë dhënë botuesit dhe pronarit të Universitetit Europian të Tiranës, Henri Çili, rezulton të jenë marrë hua nga familjarët e Arbjon dhe Alban Aliko, të dënuar me burg përjetë dhe 17.6 vite për vrasjen e efektivit të RENEA, Ibrahim Basha. Sekseri që ka bërë lidhjen mes Adil Alikos, babait të dy vëllezërve të dënuar dhe Henri Çilit, dyshohet se është pikërisht kunati i Çilit, Gazmir Ajdini. Ajdini është vëllai i bashkëshortes së Henri Çilit, dhe duke nisur nga ky besim reciprok, mësohet se Henri Çili, ka pranuar të takojë Adil Alikon dhe ta dëgjojë për hallin që ai kishte me dënimin e dy djemve të tij. Takimin e parë mes Adili e ka kryer me Gazmir Hajdinin, i cili pasi e ka dëgjuar i ka premtuar se do e takonte me Henri Çilin në mënyrë që ai ta dëgjonte dhe çfarë mund të bënte për t’i zgjidhur çështjen. Adil Aliko, mësohet se i është shprehur Gazmirit, se ishte i gatshëm të paguante çdo vlerë të mundshme vetëm për të shpëtuar nga dënimi me burgim të përjetshëm djalin e tij Arbjon Aliko, i cili gjithmonë sipas babait ishte i pafajshëm në ngjarjen e ndodhur në Lazarat në 2015-ën.

Të gjithë hetimin dhe ndjekjen në terren e ka kryer Prokuroria e Përmetit, e cila teksa po ndiqte disa persona për kultivim dhe shitje të lëndëve narkotike, mes personave të përgjuar, ka kuptuar se flitej edhe për një skenar në ndërhyrjen në organet gjyqësore me qëllim shpëtimin nga burgu përjetë të Arbion Alikos. Paralelisht me çështjen e drogës, prokuroria e Përmetit ka hapur dhe një hetim tjetër, duke mbajtur në mbikëqyrje dhe përgjim Henri Çilin, kunatin e tij Gazmir Ajdinaj, babain e Arbion Alikos, Adilin, kushëririn e tij Armando Aliko dhe disa persona të tjerë.

Si pasojë e negociatave për ndërhyrje në Gjykatën e Lartë, aty ku është në liste pritje për t’u gjykuar dosja e Arbjon dhe Alban Aliko, Adili babai i tyre besohet të ketë zhvilluar një takim në Tiranë me Henri Çilin, duke i kërkuar që ta ndihmonte në Gjykatën e Lartë, për zgjedhjen e çështjes së djemve të tyre. Takimi dyshohet se është zhvilluar më 7 dhjetor 2019 dhe biseda është përgjuar dhe filmuar nga oficerët e policisë. Pikërisht në këtë takim besohet se Adili, i ka kërkuar Çilit që ta ndihmonte dhe kundrejt ndihmës që ai do i jepte, do e shpërblente financiarisht.

Nga biseda e përgjuar del se Aliko do i jepte Çilit një shumë prej 700 mijë euro, dhe disa apartamente në zonën e Velipojës dhe një sipërfaqe toke në Gjirokastër. Me sa duket i joshur nga oferta ekonomike e bërë nga Adil Aliko, Çili ka pranuar që përmes njohjeve të tij në gjyqësor, të fillojë punën për krijimin e situatës me qëllim për të zgjidhur çështjen në Gjykatën e Lartë. Por Gjykata e Lartë momentalisht nuk ka gjyqtarë dhe për pasojë Çili mësohet se i ka premtuar Adil Alikos, se me t’u formuar Gjykata e Lartë, çështja e djemve të tij, do jetë ndër të parat që do merret në shqyrtim gjyqësor.

Për të nisur punën tek gjyqtarët dhe vendosur urat e komunikimit me ta, Çilit besohet se i janë dhuruar sipërfaqe toke dhe dy apartamente nga shoqëria “Fishta” në Velipojë, që zotërohet nga biznesmeni Sait Fishta. Kontratat e dhurimit besohet se janë bërë në 10 janar 2020 dhe se personi që është paraqitur tek noteri dhe ka firmosur në emër të Henri Çilit dyshohet të jetë Betim Shkupi, në emër të të cilit do kalonin dhe pasuritë në hipotekën e Shkodrës dhe Gjirokastrës.

Në përgjimet e kryera nga prokuroria dhe policia, rezulton se mes Çilit dhe kunatit të tij ka dhjetëra biseda që flasin për këtë çështje, madje duke falenderuar dhe njëri-tjetrin për punën e bërë në shërbim për zgjedhjen e çështjes së vëllezërve Aliko.

Një tjetër përgjim ngreh dyshime se Henri Çili, bisedon me kryetarin e Kadastrës në Shkodër, duke i kërkuar të përshpejtonte aplikimin për regjistrimin e dy pasurive në Velipojë. Biseda është kryer në muajin shkurt.

Ndërkohë që Çili është fotografuar dhe filmuar nga policia e Tiranës, teksa konsumon një kafe me një gjyqtar në një hotel të rëndësishëm në Tiranë. Në këtë takim besohet se ka qenë dhe pedagogu i UET-së dhe avokati Ilir Korbi.

Nga ana tjetër në përgjimet e tjera rezulton se anëtarë të fisit Aliko në Gjirokastër, fillojnë të mbledhin para borxh në njerëzit e afërt të tyre me qëllim dhënien e Henri Çilit. Paratë mblidheshin dhe më pas Lazo Aliko, dyshohet se ja dorëzonte Gazmir Ajdinit dhe më tej ky i fundit besohet se ja dorëzonte Henri Çilit. Mësohet se Aliko është arrestuar në momentin kur do dorëzonte 10 milion lekë të vjetra, tek Gazmir Hajdini.

 

Fraksion.com