Várhelyi: Shpresoj në hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe MV javët e ardhshme
Shpresoj që bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të hapen javët e ardhshme, deklaroi sot në Pragë komisioneri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi.
“Shpresoj shumë të fillojmë negociatat në javët e ardhshme me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, u tha ai gazetarëve pas një takimi të ministrave të Jashtëm nga Europa Qendrore dhe Ballkani Perëndimor.
Ai vlerësoi Tiranën dhe Shkupin për “përparimet serioze” të bëra pasi kërkesa e tyre për hapjen e negociatave u refuzua në samitin evropian tetorin e kaluar nga një grup i vogël vendesh të udhëhequra nga Franca.
“Këto dy vende kanë zgjedhur të përshpejtojnë reformat në vend që t’i pezullojnë ato, pas mesazhit shumë negativ të marrë në tetor”, tha Várhelyi.
Brukseli do të botojë një raport progres për vendet e Ballkanit javën e ardhshme.
“Me këtë raport unë me të vërtetë shpresoj t’i bind vendet anëtare se dy vendet kandidate janë të gatshme dhe se ne gjithashtu duhet të jemi të gatshëm për të hapur negociatat”, theksoi ai.
Fraksion.com