AktualitetKosovaTë fundit

Shtohet presioni për taksën; LVV e LDK me qëndrime të kundërta

Dy partitë në pushtet, LVV-ja e LDK-ja, po vazhdojnë të mos e kenë një qëndrim të përbashkët rreth çështjes së taksës.

Ndërsa kryeministri Kurti ka thënë se s’duhet të ketë ngut për heqjen e taksës, nga LDK-ja kanë kërkuar që tarifa të hiqet sa më shpejt.

Ky mosdakordim i partnerëve qeverisës rreth taksës dhe reciprocitetit sipas njohësve të çështjeve politike mund t’u kushtojë atyre me jetëshkurtësi të Qeverisë, shkruan gazeta “Zëri”.

Ndonëse janë pajtuar të bashkëqeverisin, dy partitë më të mëdha në Kosovë, LVV-ja dhe LDK-ja, ende nuk kanë një qëndrim të përbashkët rreth taksës 100%, të vendosur ndaj produkteve serbe para më shumë se një viti.

Derisa kryeministri aktual Albin Kurti ka thënë se nuk do të ngutet për ta hequr taksën pa pasur fillimisht një elaborim nga Ministria e Ekonomisë rreth kësaj çështjeje, zëvendëskryeministri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka konsideruar se taksa duhet të hiqet sa më shpejt, pasi Kosova e ka kohën e limituar për proceset e mëdha.

Në anën tjetër, SHBA-ja po vazhdon ta kundërshtojnë idenë e Kurtit për reciprocitet ndonëse shefi i ekzekutivit po këmbëngul se një gjë e tillë është në përputhje me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ndërkohë njohësit e çështjeve politike e shohin problematik mosdakordimin mes dy partive në pushtet për çështjen e tarifës 100%.

 

Fraksion.com