Shqipëria, “parajsa” e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore
Dëshmitë historike tregojnë se ndryshe nga shumica e vendeve të tjera evropiane Shqipëria u kthye në një oaz shprese për hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kolegu ynë Burim Goxhuli ishte në Institutin Harriman të Universitetit Columbia të Nju Jorkut, ku bisedoi me disa studiues të Holokaustit. Ata thanë thonë se vlerat e forta morale bënë që shqiptarët të mbronin mysafirët e përndjekur nga nazizmi.
Këto dokumente që ruhen në arkivin e shtetit të Shqipërisë, janë dëshmi e kontributit që shqiptarët dhanë në shpëtimin e hebrenjve, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ndërsa në këtë periudhë Evropa nuk ishte vend i sigurtë për hebrenjtë, është tashmë botërisht e njohur se shqiptarët rrezikuan jetët e tyre duke e shndërruar Shqipërinë në një “parajsë mbi tokë” për komunitetin hebre ndaj të cilit po ushtrohej gjenocid.
“Për mua Lufta e Dytë Botërore, ai moment i Shqipërisë, është një moment i jashtëzakonshëm do të thosha ngritjeje morale. Ndodh në një kohë kur Evropa ishte zhytur në barbarizëm, ndodh në një kohë kur Shqipëria vetë kishte probleme të jashtëzakonshme. Ishte në një lloj lufte informale civile midis të djathtës dhe të majtës, midis nacionalistëve dhe partizanëve. Ishte një vend i varfëruar tejet mase nga dy luftërat botërore”, tha për Zërin e Amerikës, studiuesi njëherësh drejtuesi i katedrës së Albanologjisë në Universitetin De Paul, Gazmend Kapllani.
“Në Shqipëri paraardhësit tanë rrezikuan jetën e tyre, iu ofruan mikëpritjen jo për një ditë, jo për një muaj por në disa raste edhe disa vite. Kjo tregon një kulturë humane, një harmoni ndërfetare dhe një sakrificë të pashoqe në atë kohë. Ndërsa çka më bën shumë krenare është fakti se këto ndodhën në kohë të njëjtë, në regjione të ndryshme të Shqipërisë që nga Mbreti, deri tek ministri Mehdi Frashëri e njerëzit e thjeshtë”, tha Teuta Demiri studiuese e pavarur.
Por si u bë Shqipëria vendi i vetëm në Evropë që hapi dyert për hebrenjtë?
Tanya Domi, profesore në Universitetin Columbia, thotë se rolin kryesor e luajti “besa”.
“Mendoj se është një përzierje faktorësh, ishte përqafim kulturor i besës, premtimi për të mbrojtur mysafirin. Pa asnjë dyshim ky ishte një faktor. Egzistojnë prova në arkivat e Jerusalemit që dëshmojnë këtë. Por kishte edhe përpjekje të mëdha nga udhëheqësit duke përfshirë edhe vetë Mbretin Zog dhe zyrtarët tjerë në Shqipëri që lëshuan karta të rreme identiteti për të mbrojtur hebrenjtë”, tha për Zërin e Amerikës Tanya Domi e Institutit Harriman të Universitetit Columbia.
Sipas studiuesve, përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Shqipërinë me dhjetëfish më shumë hebrenj, krahasuar me numrin që kishte në fillim të luftës.
Por, kjo periudhë ende nuk ka zënë vendin e duhur në histori, thotë drejtori i arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido.
“Ka nevojë që studiuesit të kthejnë pak vëmendjen, ta kombëtarizojmë mjaftueshëm dhe më pas ta ndërkombëtarizojmë mjaftueshëm, pra ta kthejmë njëherë në një çështje që ne shqiptarët e dijmë, ta përfshijmë në kurrikulat tona shkollore sepse është një moment i nevojshëm për t’u përfshirë në kurrikula shkollore dhe më pas të bëjmë përpjekjen tonë për ta ndërkombëtarizuar. Jo më thjeshtë si një ego nacionaliste por edhe si moment frymëzues të vet njerëzimit, se si është një shembull i mirë, se nëse sërish ndodhemi si njerëzim përballë dilemave të mëdha, i kemi momentet tona nga mund të marrim shembullin e mirë”, tha ai.
Komunizmi në Shqipëri është një arsye tjeter e fortë pse vlerat kulturore shqiptare nuk çmohen sa duhet, thotë studiuesi Gazmend Kapllani.
“Shkatërrimi i të gjitha pikave të referimit, shkatërrimi i të gjitha elitave, shkatërrimi i kodit moral mbi të cilët bazohej shoqëria, shkatërrimi it ë gjitha komuniteteteve fetare që dhe ato prodhonin një rrëfim moral dhe një kod moral. Dhe besoj se kur shkatëron në një shoqëri indin e saj, kur shkatërron themelet e një shoqërie atëhere një shoqëri mbetet në boshllëk dhe rrëzohet si një ndërtesë”, tha ai.
Këto komente u bënë pas konferencës me titull Holokausti në Jugosllavi dhe Ballkan, organizuar nga Instituti Harriman në Universitetin Kolumbia./voa
Fraksion.com