Shkup: Koalicioni i parë parazgjedhor maqedono-shqiptar
Lidhja socialdemokrate LSDM dhe Lëvizja BESA kanë zyrtarizuar marrëveshjen për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për 12 prill në Maqedoninë e Veriut.
Zaev: Po ndërtojmë shtet për të gjithë
Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev tha se shoqëria jonë po përmirësohet për të mirë. Koncepti qytetar “një shoqëri për të gjithë” po i mposht stereotipet. Ai e uroi Lëvizjen BESA, për ashtu siç tha, e kanë tejkaluar veten dhe e kanë pranuar sfidën që bashkë të punojnë për shoqëri për të gjithë.
”Arritja e koalicionit parazgjedhor është një moment i ri historik për demokracinë dhe pluralizmin. LSDM-ja shpall koalicionin parazgjedhor me Lëvizjen BESA. Me këtë karakterin multietnik të Maqedonisë e shndërrojmë në program të përbashkët. Ndërtojmë shtet që ka shanse për të gjithë, edhe për maqedonasit edhe për shqiptarët, boshnjakët, serbët, vllehët dhe të tjerët”, tha Zaev.
Kasami: Ky koalicion garanton të ardhme evropiane
Si ditë jashtëzakonisht të rëndësishme për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut nga ana e tij e vlerësoi Bilall Kasami nënshkrimin e koalicionit parazgjedhor.
“Kjo është një ditë historike. Më marrëveshjen e sotme presin që votuesit shqiptarë ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike për të qenë anëtarë të një koalicioni qeverisës. Ky koalicion është vazhdimësi e trenit të NATO-s që do të na anëtarësojë edhe në Bashkimin Evropian”, deklaroi pas nënshkrimit të marrëveshjes Bilall Kasami kryetar i Lëvizjes BESA.
Kreu i LSDM-së Zoran Zaev ka thënë se subjekti politik që ai drejton pas zgjedhjeve nuk do të pranojë biseda jo-parimore dhe se partnerët e tjerë do të duhen t`i bashkohen parimeve të këtij koalicioni.
“Sa u përket partive të tjera shqiptare dhe koalicioneve, dua t’ia bëj me dije opinionit se pas këtyre zgjedhjeve nuk do të lejojmë kërcënime dhe shantazhe dhe nuk do të pranojmë bisedime dhe negociata jo-parimore. Ata që do të duan të na bashkohen do të duhet të pranojnë parimet tona dhe vlerat tona, për pjesëmarrje eventuale në koalicionin qeverisës”, deklaroi Zaev.
VMRO-DPMNE: I vështirë koalicioni me partitë shqiptare
Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickoski, tha se janë të vogla mundësitë për koalicionin parazgjedhor me ndonjë nga paritë shqiptare, pas shembullit të koalicionit të zyrtarizuar midis LSDM-së dhe Besës.I pyetur nëse do të ketë ndonjë nga partitë shqiptare në koalicionin e tyre, Mickoski është përgjigjur se për momentin gjasat janë të vogla, ndërsa në komentin për koalicionin e zyrtarizuar midis LSDM-së dhe Besës është përgjigjur shkurt. “Me fat të mirë”.
Luma: Koalicionimi BESA-LSDM, hap i gabuar
Analisti Ilir Luma komenton mbetjen e Lëvizjes BESA jashtë bllokut opozitar shqipatr dhe bashkangjitjen me LSDM-në. Ai e cilëson si gabim dhe përpjekje për të fituar ndonjë kandidaturë parlamentare.
“Them se ka gabuar se edhe në debatet e mërparshme kur bisedohej për të hyrë në qeveri unë kam qenë ithtar i hyrjes në qeveri meqënëse ishin raportet e tilla karshi VMRO-së. Tani BESA bën përpjekjet të shpëtojë çka ka mundësi të shpëtojë, të paktën një përpjekje për mbijetesë të ndonjë individi në suaza të BESËS”,shprehet Luma.
Koalicioni parazgjedhor Lëvizja BESA-LSDM vjen pasi Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa arritën marrëveshje për koalicion parazgjedhor duke përjashtuar Lëvizjen BESA. Në zgjedhjet e 12 prillit partia shqiptare në qeveri BDI do të garojë e vetme, ndërkaq PDSH-ja ende nuk e ka gjetur partnerin e koalicionit./dw
Fraksion.com