Pompeo kërkon heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë se pret që Kosova të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të shfrytëzojë momentumin e e krijuar pas nënshkrimit të dokumenteve për krijimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe tokësore midis Prishtinës dhe Beogradit.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus, tha përmes një komunikate se sekretari Pompeo gjatë takimit në Uashington me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ripohoi partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe mbështetjen për një Kosovë të pavarur dhe sovrane.
“Sekretari Pompeo po ashtu, ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Gjykatën Speciale, puna e të cilës është jetike për të sjellë drejtësi për viktimat dhe për të forcuar shtetin ligjor në Kosovë”, thuhet në komunikatën e zëdhënëses së Departamentit të Shtetit.
.@SecPompeo met with @HashimThaciRKS. The Secretary reaffirmed the strength of the U.S.-#Kosovo partnership and underscored the importance of Kosovo-#Serbia normalization. pic.twitter.com/x4zm9bhsNG
— Morgan Ortagus (@statedeptspox) February 27, 2020
Tarifa ndaj mallrave sebe është vendosur në vitin 2018 nga qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Beogradi e ka pezulluar pjesëmarrjen në dialogun për normalizimin e raporteve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke kërkuar shfuqizimin e tarifës.
Pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, presidenti Thaçi ka shkruar në rrjetin social, Facebook se ka parë angazhimin dhe përkushtim maksimal nga ana e qeverisë amerikane dhe personalisht të sekretarit Pompeo në mbështetjen ndaj Kosovës.
Sipas zyrës së shtypit të Pentagonit, nënsekretari Renquist përshëndeti Kosovën në vitin e saj të parë të një plani tranzitor 10 vjeçar për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Sigurisë.
Ndërkaq presidenti Thaçi, tha se takimi me zyrtarët e lartë të Pentagonit ka qenë i frytshëm si dhe ka shprehur falenderim për mbështetjen e SHBA-së për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në rrugën e anëtarësimit të saj në NATO.
“Kosova tashmë e ka ushtrinë e vet profesionale dhe me standarde të NATO-s, që është e gatshme gjithmonë të përfshihet në misionet humanitare e paqeruajtëse në botë, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne ndamë bindjen e njëjtë se është vitale për sigurinë në Evropën Juglindore që Kosova të jetë sa më shpejtë anëtare e NATO-s”, ka shkuar Thaçi në Facebook.
Përkundër faktit që bisedimet ndërmjet dy vendeve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, janë ndërprerë në nëntor të vitit 2018, në fillim të këtij viti me ndërmjetësimin e të dërguarit presidencial të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorit Richard Grenell, të dyja vendet kanë nënshkruar marrëveshje për hapjen e linjës ajrore dhe asaj hekurudhore.
Fraksion.com