Pezullohen hyrjet në Mekë e Medinë për shkak të koronavirusit
Arabia Saudite i pezulloi përkohësisht hyrjet për pelegrinazhin Umrah në qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës, për shkak të frikës së përhapjes së mundshme të koronavirusit.
Autoritetet saudite ua pezulluan hyrjen në vend edhe turistëve që vijnë nga vende me koronavirus.
Ministria e Punëve të Jashtme tha se hapat po merren për të mbrojtur qytetarët dhe turistët.
Ajo tha se masat janë të përkohshme dhe se i nënshtroheshin vlerësimit të vazhdueshëm.
Arabia Saudite nuk ka raportuar asnjë rast me koronavirus, megjithëse Kuvajti fqinj ka thënë se një shtetas saudit, 61 vjeç, ka dalë pozitiv në atë vend.
Umrah, i cili tërheq dhjetëra-mijëra myslimanë të devotshëm çdo vit, është një pelegrinazh në Mekë që, ndryshe nga Haxhi, mund të bëhet në çdo kohë të vitit.
Koronavirusi, i emëruar COVID-19, është shfaqur për herë të parë në qytetin Vuhan të Kinës, në muajin dhjetor.
Që atëherë, dhjetëra vende në Azi, Evropë dhe Lindje të Mesme kanë raportuar rastet e tyre.
Mbi 3,000 njerëz – pjesa më e madhe e tyre në Kinë – kanë vdekur nga koronavirusi.
Numri i të infektuarve në gjithë botën ka kaluar 80,000.
Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
Fraksion.com