AktualitetTë fundit

OFL u kërkon të justifikojnë pasurinë Arben Frrokut, Jasin Kalës dhe Durim Keçit

Arben Frroku, Jasin Kala dhe Durim Keçi duhet të deklarojnë pasurinë dhe të dorëzojnë formularin pranë Operacionit “Forca e Ligjit”, që në kuadër të aktit normativ Anti KÇK, ka vënë në sitë pasurinë e tyre duke ngritur dyshime se nuk rrjedh nga burime të ligjshme.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e OFL-së, tha se Jasin Kala, banues në Shijak, është i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”. Arben Frroku, banues në Tiranë, është i dënuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe Armëmbajtja pa leje”. Durim Keci, banues në Shijak, rezulton i dënuar në Itali për veprat penale “Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Krime me armë kundër personit”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike dhe shfrytëzimin e prostitucionit”.

Ata duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së, të cilat do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

“OFL bën me dije se të gjithë personat që iu është dërguar kërkesa me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, i kanë plotësuar formularët dhe i kanë dorëzuar pranë OFL-së, e cila ka vijuar me procedurat, sipas përcaktimit në Aktin Normativ nr. 1, të datës 31 janar 2020”, tha zëdhënësja.

 

Fraksion.com