AktualitetTë fundit

Kushte dhe garanci e plotë; Shtëpia e pushimit e Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës do të kthehet në karantinë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shtëpia e Pushimit e Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës është përcaktuar si vend karantine në rast të shfaqjes së koronavirusit, ndërkohë që me OBSH-në është konstatuar përmbushja e të gjitha kushteve dhe garancia për siguri të plotë për të gjithë në këtë godinë.

Në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Sigurisë, Kryeministri Rama tha se Komiteti Teknik ka vlerësuar disa struktura si të përshtatshme për karantina. “Është për të ardhur keq që ndërkohë që kudo bëhet politikë, kudo ka debat, askund tjetër përveç se në vendin tonë të vogël nuk ndodh që palë të caktuara politike dhe individë të zëshëm të bëjnë ato që kanë bërë gjatë këtyre ditëve, duke u përpjekur haptazi të përhapin panik dhe dezinformuar publikun edhe për sa i përket vendeve, apo vendit të përcaktuar për karantinën, apo kushteve dhe impaktit të një zone të karantinuar për popullatën rreth e rrotull”, tha Rama.

Ai theksoi se “askund, në asnjë pikë të globit nuk ekziston karantina nëpër male, pyje apo facilitete larg zonave të banuara”. “Kjo është një shpikje në vazhdën e ushqyerjes së infodemisë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “është fakt se nga momenti i parë janë marrë masat e nevojshme. “Është forcuar mbikëqyrja aktive e sistemit alert në të gjithë vendin duke filluar nga pikat kufitare, Urgjenca Kombëtare, Inspektorati Shëndetësor, spitalet etj. Janë përcaktuar protokolle të sakta dhe janë shpërndarë udhëzues sipas OBSH-së për gjurmimin e rastit që në pikën kufitare, ndjekja e kontakteve etj. Janë trajnuar 800 profesionistë shëndeti në të gjitha nivelet dhe trajnimet vijojnë”, tha Rama.

Po ashtu, ai theksoi se “janë dyfishuar ekipet mjekësore në pikat kufitare tokësore, ajrore e detare”. “Deri tani janë kontrolluar 8122 persona pasagjerë dhe në rrugë tokësore 14 000 udhëtarë. Në aeroportin Nënë Tereza dhe në portin e Vlorës janë disponuar mjedise për karantinën. Janë marrë masa për rritjen e stokut të mjeteve mbrojtëse në të gjitha hallkat. Është siguruar stoku i medikamenteve antivirale, janë marrë masat për trajtim intensiv. Janë akorduar 1 milion dollarë vetëm për rritjen e stokut të mjeteve mbrojtëse”, tha Rama.

Po ashtu, Rama tha se “shërbimi i sëmundjeve infektive në QSUT dhe spitali “Shefqet Ndroqi” kanë dhoma izolimi funksionale dhe struktura në dispozicion për terapi intensive, . gjithnjë të konfirmuara nga OBSH”.

Rama tha se Urgjenca Kombëtare ka kapacitete për të përballuar mbi 5 mijë raste në ditë, ndërkohë që  momentalisht pret 1700 të tilla.

 

Fraksion.com