Fakt i konfirmuar nga OBSH, 97% e të prekurve nga koronavirusi shërohen
“Fakti i konfirmuar nga OBSH është se 97% deri tani e të prekurve nga koronavirusi, shërohen”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Sigurisë.
Kryeministri u shpreh se “ka një sërë të dhënash të deritanishme që e bëjnë pak më të lehtë përballimin psikologjik të kësaj situate, që natyrshëm krijon ankth dhe pasiguri.
“Fakt i konfirmuar nga OBSH është se 97% deri tani e të prekurve shërohen. Nuk jemi përpara asnjë murtaje mesjetare që ka ardhur të fshijë nga faqja e dheut gjysmën e njerëzimit. Po ashtu, ky virus prek kryesisht ata që janë shumë të moshuar dhe kanë probleme shëndetësore ekzistuese dhe përballohet pa pasoja dramatike përgjithësisht nga më të vegjlit dhe nga ata që kanë një organizëm të shëndetshëm”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se qeveria nuk ka nënvlerësuar asnjë gjë nga ato që na takon deri në detajin më të vogël, ndërsa kërkoi nga qytetarët edhe pak më shumë besim sepse është i nevojshëm.
“Më mirë t’i referohemi pikave ku marrim besim, se sa politikave ku marrim helmin. Besim në kuptimin e të vërtetës së thjeshtë që si të gjitha tjerat edhe kjo do të kalojë së bashku me ndërveprim, solidaritet, kujdes maksimal nga ana jonë si qeveri, me përkushtim maksimal nga ana e profesionistëve të përfshirë dhe me besim. Ndaj sugjeroj që më mirë të mbyllni kompjuterët, telefonat dhe të dëgjoni Papa Françeskun, Biblën apo Kuranin, se sa të humbisni kohë me lloj-lloj marrëzish e poshtërsish që njerëz pa asnjë përgjegjësi sociale dhe ligësi organike shpirtërore shpërndajnë, duke bërë atë që është çnjerëzore nga pikëpamja njerëzore”, tha Rama.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare në rast se ndiejnë një shqetësim apo përballen me shfaqjen e shenjave klinike, pa u drejtuar në spital, për të minimizuar riskun e infektimit nga infeksionet, mjafton telefonata për t’u asistuar aty ku ndodhen.
“Masat e shtuara higjieno-sanitare në shkolla, rritja e higjienës personale, kufizimi i udhëtimeve në zonat e prekura ku ekziston rreziku i transmetimit komunitar. Ju bëj thirrje për shprehjen e nevojës për qetësi dhe për të mos e lënë veten të çoroditemi nga burimet e infodemisë, nga debatet absurde të mbrëmjeve mediatike që nuk ndodhin në asnjë vend të botës, që për klikimet në burime të absurditetit informativ me papërgjegjshmëri të plotë shpërndajnë lajme të rreme dhe rrisin efektin shumë të rrezikshëm të infodemisë, duke krijuar ankth dhe panik. Të gjithë jemi këtu, të gjithë kemi familje, fëmijë, të moshuar dhe unë ju them të gjithëve ndiqni vetëm burimet e informimit zyrtar, ballafaqohuni me burimet e informimit zyrtar, pasi burimet alternative janë të pakëshillueshme nga OBSH”, tha Rama.
Fraksion.com