Balla: Meta, aktor brenda opozitës, e ka humbur prej kohësh funksionalitetin kushtetues
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së dhe kryetari i grupit parlamentar të kësaj partie, Taulant Balla deklaroi mbrëmjen e sotme se reformat e rëndësishme që qeveria ka ndërmarrë nuk do të avanconin nëse PS do të ishte në koalicion me një parti tjetër në vend.
Gjatë një interviste televizive, Balla u shpreh se “ky është një mandat shumë i rëndësishëm për Partinë Socialiste sepse kemi ndërmarrë disa reforma që nuk do të kishim mundur t’i ndërmerrnim nëse do të ishim në koalicion”.
E fundit, sipas tij, është paketa anti KÇK. “Akti normativ ka hyrë në fuqi, pra akti normativ po zbatohet. Kuvendi i Shqipërisë duhet të votojë me 5 mars, në shumicë. Unë jam shumë i sigurt që edhe opozita parlamentare do ta mbështesë por nëse do të kishim qenë në koalicion me LSI-në, LSI nuk do ta kishte mbështetur kurrë paketën anti KÇK, sepse shoh edhe tani që nuk janë dakord edhe pse domosdoshmëria që një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar duke nisur nga asetet, nga pasuria e tyre ishte e domosdoshme dhe është një luftë e cila ka një garanci për sukses. Partia Socialiste e Shqipërisë në vitin 2016 ishte e gatshme të prishte koalicionin me LSI-në nëse ata nuk do të pranonim që ne të miratonim Reformën në Drejtësi”, u shpreh Balla.
I pyetur mbi zgjedhjet parlamentare, Balla tha se ato do të mbahen në 2021.
“Shqipëria do të këtë në qershor të vitit 2021 zgjedhjet parlamentare. Në përfundim të mandatit të tij kuvendi ndërkohë që që zgjedhje të pjesshme vendore ju e dini që janë 4 vakanca të krijuara. E fundit është në Rrogozhinë për shkak të një fatkeqësie të humbjes së jetës së parakohshme të një burri të shkëlqyer sikurse ishte kryetari i bashkisë Rrogozhinë. Kjo është një çështje e parashikuar, nuk është hera e parë”, u shpreh Balla.
Kryetari i grupit parlamentar socialist theksoi se viti 2020 do të jetë viti ku ne do të synojmë të ndryshojmë tërësisht marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit sa i përket shërbimeve.
“Do ta kishim bërë përpara, kjo është e vërtetë. Ne jemi partia e vetme që kemi kushtëzuar ose kemi kërkuar prej shumë vitesh aplikimin e të drejtës së votës të shqiptarëve që jetojnë jashtë shtetit dhe kemi hasur një kundërshti të paimagjinueshme nga Partia Demokratike dhe nuk e di ende arsyen se pse PD është kundër votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit”, tha Balla.
Ai informoi se “në 5 mars ne do të miratojmë ligjin për pronësinë mbi tokën që do të zgjidhë përfundimisht një historinë 28 vjeçare e me shumë të pronësisë së tokës në Shqipëri, e cila do të garantojë që janë rreth 200 mijë familje në Shqipëri të cilët do të marrin titullin e pronësisë së tokës por më e rëndësishme se kaq është se do të hapë një fazë të re të investimeve në Shqipëri”.
Kreu i grupit parlamentar të PS mohoi që komisioni i ngritur nga mazhoranca për shkarkimin e kreut të shtetit të jetë zvarritur, por e lidhi shtyrjen e tij me atë që e cilësoi një tjetër shkelje kushtuese të Metës, refuzimin për betimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, për të cilën është duke u pritur fjala e Komisionit të Venecias që më pas të procedohet me shkarkimin.
“Venecia do të sqarojë nëse veprimi antikushtetues i Metës është shkelje e rëndë kushtetuese. Nëse ky veprim tjetër do të bindë komisionin dhe më pas kuvendit dhe më pas Gjykatën Kushtuese për ta shkarkuar. Inicimi i një mekanizmi zhbllokues si 10-ditëshi, është një risi që pas reformës në drejtësi i është hequr çdo uzurpatori mundësia për të bllokuar punën”, tha Balla.
“Në vitin 2010 vinin dekrete nga presidenti që nuk shqyrtoheshin fare nga Kuvendi dhe abuzohej me këtë gjë. Nisur nga kjo u vunë disa afate. Edhe çështja e betimit, e dimë që është akt formal, por sa kohë në gjithë instrumentet e reformës kemi futur mekanizma zhbllokues. Kjo nuk ndodh vetëm me presidentin, nëse një ditë kuvendi do çmendet, pra edhe kuvendi i ka vënë vetes afate. Në jurisprudencë ka një dallim mes betimin dhe përzgjedhjes”, theksoi Balla.
“Unë jam një prej firmëtarëve që kam kërkuar shkarkimin e Metës. Jam i bindur se e ka humbur të drejtën për të qenë në atë zyrë. Ka një procedurë, me të marrë raportin e Venecias është detyra e komisionit të konkludojë dhe është e nevojshme të jenë 94 vota numra në Kuvend”, -tha Balla.
Ai nuk hezitoi të komentonte edhe tubimin e thirrur nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta i cili do të mbahet në 2 mars.
“Nuk ka shqiptar apo shqiptare të besojë që ajo që po bën Ilir Meta ka të bëjë sadopak me interesin e Ilir Metës për Kushtetutën. Aspak nuk ka të bëjë kjo që po bën Ilir Meta me Kushtetutën. Është si drita e diellit e qartë që gjithçka që kemi bërë ne është në përputhje të plotë me kushtetutën dhe përpjekja e Ilir Metës për të penguar ecjen përpara të Reformës në Drejtësi, të përzgjedhjeve të tij personale në dëm të mekanizmave të parashikuar nga kushtetuta për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe jo vetëm, nuk janë këto argumentet e Ilir Metës dhe Ilir Meta mbetet një aktor brenda opozitës. E ka bërë këtë edhe gjatë vitit të kaluar ku me një përpjekje të njëanshme, antikushtetuese u mundua të pengonte shqiptarët të ushtronin të drejtën e tyre për të zgjedhur, Ilir Meta e ktheu presidencën në një prej selive të opozitës. Unë nuk kam asgjë në aspektin e së drejtës për t’u sjellë si opozitar. Në aspektin që Presidenti i Republikës bën këto veprime, bën ndryshim sepse padyshim që këto janë disa kosto që unë personalisht por edhe kolegët e mi që e kemi votuar Ilir Metën në 2017 për të qenë në krye, kemi edhe ne përgjegjësitë tona. Ajo që duhet të jetë e shkruar e zezë mbi të bardhë është që Ilir Meta e ka humbur prej kohësh funksionalitetin kushtetues në krye të vendit”, -u shpreh Balla për lëvizjet politike të Presidentit.
Fraksion.com