“Vështirë që njerëzit të dalin në shesh”; Hajdari: Shqiptarët nuk i besojnë më
Kryetarja e grupit parlamentar të djathtë në Kuvend shtoi se kushtetuta e vendit duhet të mbrohet, por, vuri në dukje ajo, nuk janë ata personat e duhur që duhet të dalin ta mbrojnë atë.
Tubimi është thirrur nga Meta me argumentin se populli duhet të dalë në shesh me presidentin për të ndaluar atë që e quan grusht shteti. Për Hajdarin “grushti i shtetit” e quan teori konspiracioni me të cilën nuk do të merret.
“Shqiptarët nuk i besojnë më. Kushtetuta përdoret për të nxjerrë njerëzit në tubim dhe në fund nuk arrihet asgjë. Ata që thërrasin këtë protestë janë vetë ata që e kanë sjellë vendin në këtë derexhe. Kemi një kushtetutë që është cenuar, është e trishtë, por janë këta persona që e kanë sjellë situatën këtu ku jemi. Atë kushtetutë e kanë bërë leckë, kur ka ardhur koha ta mbrojnë kushtetutën kanë thënë që për hir të demokracisë duhet shkelur kushtetuta”, u shpreh Hajdari.
“Dakord jam të mbrojmë kushtetutën, por kam frikë se kjo protestë që mbështetet nga ata persona që e kanë shkelur Kushtetutën, është e vështirë të them që njerëzit do të dalin në shesh”, tha Hajdari.
Deputetja Rudina Hajdari tha se takimet me Ilir Metën i ka në respekt të institucionit të Presidencës dhe detyrës që ai ka. Ajo shtoi se disa nga pretendimet e presidentit janë të sakta, duke veçuar mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve të Gjykatës Kushtetuese.
Fraksion.com