AktualitetTë fundit

Teatri; Basha: PD nuk tërhiqet; Veliaj: E disata herë që e dëgjoj këtë deklaratë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi sot në një intervistë televizive se Teatri i ri në Tiranë do të ndërtohet me financim publik.

I pyetur se ku do të gjenden financimet, Veliaj tha se, bashkia e Tiranës përveç fondeve të veta ka kërkuar  nga qeveria shqiptare që të financojë ose të japë atë që quhet garancia sovrane që të mund të kreditohet. “Është një procedurë që ne e bëjmë për investime si fjala vjen investimi që kemi bërë në ujësjellës e kemi me një kredi të BERZH apo në Qytetin Studenti dhe qendrat studentore i kemi me financim të KFW. Kështu që bashkia e Tiranës në mënyrë periodike tërheq financime, pra kreditohet për të bërë një punë, të cilën pastaj e paguan ndër vite”, tha Veliaj.

“Kështu që qeveria shqiptare ka rënë dakord që të mbështesë propozimin e bashkisë së Tiranës. Dhe unë them për të gjithë ata që kishin merak pjesën private dhe nuk kishin merak realizimin e Teatrit, tani do të duhet të gëzohen që do të realizojmë një teatër me financim publik dhe me një investim të bashkisë së Tiranës që do të ketë të njëjtën cilësi investimi si Bulevardi i Ri, sheshi Skënderbej, Pazari, Liqeni, Amfiteatri dhe shumë vepra publike që bashkia e Tiranës ka realizuar në kohë rekord në këto 5 vite”, tha Veliaj.

I pyetur se çfarë do të bëhet me pjesën pranë teatrit që ishte planifikuar për kompaninë private, Veliaj tha se, “ajo është pjesë e bashkisë së Tiranës. Nuk është pronë as edhe një partie politike, nuk është pronë as e militantëve të partive politike. Kështu që bashkia e Tiranës ashtu siç negocion për çdo centimetër trotuar, për çdo pronë që ka, dhe siç sot nga një bashki që ishte më varfanjakja në rajon, po kthehet në një bashki lider në rajon, sepse nuk i lëmë më copat lart e bosh siç lihej në administratën e kaluar, do marri kohën e vet të negociojë maksimumin për interesin e bashkisë. Sot bashkia e Tiranës ka rreth 100 zyra në qytetin e Tiranës dhe në vend që të ishim pronari më i madh i qytetit, siç është bashkia e Vjenës ne jemi qiramarrësi më i madh i qytetit. Kështu që sigurisht bashkia e Tiranës në parkingun që ka pronë të vet, rezervon të gjithë të drejtën që të marri kohën për të negociuar atë pjesë”.

Por, theksoi Veliaj, “pjesa e teatrit ka një vendim sot të bashkisë dhe qeverisë shqiptare, e cila do ta realizojë këtë me financat e veta. Një super teatër që i ka hije Tiranës në këtë 100-vjetor dhe që nuk mund të vazhdojë të jetojë në një kuti shkrepësesh për 100 vitet e ardhshme të qytetit”.

Më herët kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se “Rama dhe Veliaj nuk mund t’i hedhin hi syve shqiptareve dhe të mbulojnë korrupsionin dhe prishjen e Teatrit me njoftime gjysmake që fshehin të vërtetën. Pa një vendim të qartë që kullat nuk do të ndërtohen dhe Teatri do të ruhet PD nuk tërhiqet nga qëndrimi dhe vendosmëria e saj”. I pyetur për këtë deklaratë Veliaj tha se, “është e disata herë që unë dëgjoj që PD nuk tërhiqet nga protesta. E dëgjova tek Astiri,e dëgjova tek sheshi Skënderbej, e dëgjova tek këndi i lojërave, e dëgjova tek Bulevardi, e dëgjova tek rruga Durrës – Kukës, e dëgjova tek lagja e oligarëve ku z. Basha jeton sot. Qartazi nga reagimi duket më i shqetësuar duket për pjesën e investitorit privat, atë lojë që tipikisht bën kur sulmon gjithmonë një privat, qoftë ata që marrin rrugën e Kukësit apo ata që ndërtojnë kodrat e Lundrës dhe krejt papritur zgjohet një ditë në kodrat e Lundrës dhe jeton në vilat e oligarkëve. Një ditë tjetër e gjen me secilin kontraktor të çdo rruge. Kështu që për të qartazi është një biznes i humbur sepse nuk arriti të gjobiste dot biznesmenin e radhë”.

Kjo, tha Veliaj, “është një punë publike, siç ndërtohet çdo shkollë e qytetit dhe siç kam dëgjuar atë që nuk tërhiqet nga asnjë betejë mezi e pres ta shoh në betejën e radhës, ku jo vetëm teatri do të bëhet. Ai po shkon drejt një humbje të sigurt të një mandati të tretë të Edi Ramës si kryeministër. Kështu për gjithë këto arsye, nëse Lulzim Basha e ka një plan B dhe duhet të shkojë në një teatër në Holandë. Ne nuk kemi një plan tjetër. Kështu që duhet të bëjmë një teatër të mirë në Tiranë. Ai e ka një mundësi që pas humbjes së radhës mund të kthehet në Atdheun e tij të adoptuar, kurse ne do të duhet të jetojmë në Shqipëri dhe duhet ta bëjmë këtë me dinjitet siç kemi bërë në të gjitha hapësirat publike ku ka ndërhyrë qeveria e Edi Ramës dhe bashkia e Tiranës”.

 

Fraksion.com