Rama: Zgjidhje paqësore për krizën në Ukrainë; Lavrov: Mbështesim përparësitë e Shqipërisë në krye të OSBE-së
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, Kryeministri Rama tha se “jo më pak është edhe stabilizimi i situatës për njerëzit që jetojnë në zonat e konfliktit dhe vizita ime në Ukrainë në fillim të këtij viti dëshmon rëndësinë që i kushtojmë kësaj çështje”.
“Ne do të mbështesim të gjitha përpjekjet për të ecur drejt zgjidhjes paqësore. Kemi parë disa përparime, jo gjithçka është e zymtë ka disa gjëra të mira. Natyrisht mund të duken të vogla, por janë të mëdha për jetët e kaq shumë njerëzve, të mijëra civilëve, që u duhet të përballen me jetesën në të cilën shkojnë nga njëra anë në tjetrën të zonës së mosangazhimit. Më lini të them shumë drejtpërdrejtë e ta përsëris se mbështesim plotësisht Marrëveshjet e Miskut dhe besojmë se zbatimi i tyre, pa por apo po, është thelbësor për të ecur përpara”, – nënvizoi Rama.
Gjithashtu, tha Rama, mirëpresim përfundimet e Samitit të Parisit dhe presim me padurim hapa të mëtejshëm, konkretë në një samit tjetër në pranverë për të ruajtur këtë ritëm të krijuar.
“Një armëpushim i plotë dhe i qëndrueshëm është thelbësor. Misioni i posaçëm monitorues i OSBE-së duhet të ketë akses të sigurt e të papenguar për të plotësuar misionin e vet, gjithashtu misionit i duhet dhënë mbështetja e nevojshme për të cilat ka nevojë. Rusia është pjesëmarrëse kyçe në formatet negociuese në zonat e konflikt. Unë besoj që Rusia mund të përdorë ndikimin e saj për të na çuar më pranë paqes, shpresoj fort që do ta bëjë këtë. Është jetike për Moskën që të ruajë mbështetjen e saj konstruktive dhe angazhimin në diskutimet ndërkombëtare të Gjenevës”, – tha Rama.
Kryeministri Rama tha se “si kryetar i radhës i OSBE-së jam i vetëdijshëm për nevojën për të qenë një ndërmjetës i ndershëm dhe ashtu siç ministri Lavrov theksoi, siç edhe ne si Shqipëri e dinim qysh prej ditës së parë. Jam këtu plotësisht në frymën e dialogut dhe bashkëpunimit të mundshëm dhe në këtë frymë trajtuam së bashku me ministrin një sërë çështjesh kryesore në axhendën e OSBE-së, të cilat ndikojnë në sigurinë e rajonit tonë”.
“Natyrisht është më e lehtë ta thuash se ta bësh, kur i kalon të gjitha çështjet dhe i sheh ato, është e lehtë të thuash që na duhet një bashkëpunim i sinqertë mes palëve e qeverive të përfshira sidomos në konflikte, por natyrisht nuk është kaq e lehtë ta shohësh të realizohet në një mënyrë të qëndrueshme. Sidoqoftë na duhet përpjekje e besueshme për t’iu përmbajtur e zbatuar angazhimet tona ndërkombëtare. Si kryesi shqiptare ne kemi vendosur në themel të bashkëpunimit tonë për 2020 nevojën për të bërë një dallim në terren për njerëzit, pasi formatet, marrëveshjet, formulat janë të pranishme për ti diskutuar, njerëzve u duhet të jetojnë ditë pas dite, te kalojnë natë pas nate dhe ajo që kam parë me sytë e mi në zonën e konfliktit, ishte asgjë më pak sesa ndjesia sikur ishe në setin e një filmi të madh hollivudian për Apokalipsin”, – nënvizoi Rama.
Lavrov: Mbështesim përparësitë e Shqipërisë për vendosjen e paqes
Në konferencën e përbashkët mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, ky i fundit tha se ndër të tjera, “folëm për aktivitetet e OSBE-së në tre dimensione që është çështje humanitare, të sigurisë dhe të gjitha zhvillimet e ndryshme dhe konfirmojmë angazhimin e Rusisë për të nxitur bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, trafikimit të drogës, kërcënimeve që janë në sferën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, gjithashtu në fushën e krimit të organizuar dhe krimeve njerëzore”.
“OSBE mund të bëjë më shumë për të përputhur hapësirat e integrimit, sidomos në pakicat etnike, për të luftuar gjithashtu edhe kundër antisemitizmit, kristianofobisë dhe islamofobisë. Gjithashtu në përvjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore është shumë e rëndësishme në fakt të pajtojmë ndarjet apo dallimet politike dhe t’i japim fund përpjekjeve për të nxitur neonazizmin në Europë. Besoj së është në interesin tonë që bashkë ne të kërkojmë që të kemi një qëndrim të tillë në OSBE”, – deklaroi Lavrov.
“Ne e shohim situatën në Ukrainë në mënyrë të detajuar dhe Shqipëria e shikon si përparësinë e saj zbatimin e paketës së Marrëveshjes së Minskut dhe ne e mbështesim një qasje të tillë. Do të vijojmë që të përdorim grupin e kontaktit dhe misionin e posaçëm të monitorimit në Ukrainë për të promovuar këto gjëra. Gjithashtu edhe misionin e posaçëm të monitorimit, është ai që do të na japë një grup të dhënash për viktimat e për zonat dëmtuara gjatë konfliktit natyrisht, manifestimin e neonazizmit, ksenofobisë, racizmit. Kjo është pjesë e punës së misionit të posaçëm të monitorimit në Ukrainë që të punojë jo vetëm në Donbass, por edhe në zona të tjera të Ukrainës”, – u shpreh ai.
“Nuk është hera e parë që Ukraina deklaron që është e nevojshme që Marrëveshja e Minskut të rishikohet. Nuk është asgjë e re. Qeveria ukrainase për një kohë të gjatë e ka bërë një gjë të tillë, që nga koha e Poroshenkos dhe kanë kërkuar që marrëveshja të rikonsiderohet, por nuk kanë bërë asgjë për të respektuar detyrimet. Kanë shtrembëruar frymën dhe kuptimin e Marrëveshjes së Minskut dhe nismën për të dërguar në lindje të Ukrainës një kontingjent prej 20 deri në 25 personash”, – tha ai.
Lavrov tha se “ne ju kërkojmë gjithashtu kolegëve tanë që kanë qenë pjesë e procesit të formatit të Normandisë që të shohin këtë situatë dhe të tërheqin vëmendjen e autoriteteve ukrainase për këtë. Natyrisht kjo lidhet edhe me rezolutën e Kombeve të Bashkuara gjithashtu edhe argumentet që përfshihen që kanë të bëjnë më rikonsiderimin e Marrëveshjes së Minskut në mbështetje të kësaj qasje”.
Ai shtoi se “ne do të udhëhiqemi nga rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që miratoi Marrëveshjen e Minskut”.
“Sa i takon formatit të Normandisë mund të dëgjojmë shumë deklarata për Ukrainën, për çështje të tjera mund të dëgjojmë shumë afate, kjo është diçka e re për ne. Kemi thënë shumë qartësisht që duhet të punohet në kuadër të formatit të Normandisë si një vijim i vendimeve që janë marrë në kuadër të Marrëveshjes së Minskut, të cilat mund të zbatohen vetëm nëpërmjet grupit të kontaktit ku janë të pranishëm të gjitha zonat. Gjithashtu, duhen zbatuar detyrimet që janë parashikuar ndërkohë që në Paris u hartua një dokument që trajtonte detyrimet që duhet të përmbushin palët në terren”, – shtoi Lavrov.
Megjithatë, shtoi ai, shpresoj fort që udhëheqja ukrainase do të jetë në përputhje me fushatën dhe premtimet e bëra nga zoti Zelensky, që do të veprohet në mënyrë që të mos minohet procesi i paqes së Ukrainës. Nuk kam dëgjuar asgjë në lidhje me formatin e Normandisë. Disa kolegë thonë në prill, disa të tjerë thonë se duhet mbajtur këtë muaj, megjithatë ju kam thënë se cili është qëndrimi ynë. Ne do ta diskutojmë vetëm kur gjithçka për të cilën është rënë dakord në Paris, të përmbushet, normalizimin në terren dhe zgjedhjen e çështjeve politike dhe të tjera, ndreqjen apo vendosjen e kushteve për statusit special të Ukrainës në legjislacion”.
“Të gjithë janë të vetëdijshëm për qëndrimin që ne kemi dhe do të udhëhiqemi nga ky qëndrim me të cilën mund të sigurojmë progresin, sepse përpjekjet për të bërë një hap para e dy hapa pas është diçka që krijon shumë pengesa për ne”, – u shpreh ministri i Jashtëm i Federatës Ruse, Sergey Lavrov.
Fraksion.com