AktualitetPolitikëTë fundit

Rama në Moskë, kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia

Kryeministri Edi Rama kërkoi sot nga Moska që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës ndërsa theksoi se “sa më shpejt Serbia të njohë Kosovë, aq më mirë do të jetë për të gjithë dhe sigurisht për vetë Serbinë”.

Në konferencën e përbashkët mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, ky i fundit i pyetur nëse ka shkaqe të reja përse Rusia vijon mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe nëse një ditë Moska do ta njohë Kosovën si shtet?, Lavrov tha se “ju pyetët nëse unë mund të mendoj ndonjë datë kur Rusia do të njohë Kosovën. Është ajo çfarë përmendi Kryeministri Rama që duhet të ketë zbatim të asaj për çfarë bihet dakord. Ka një rezolutë 12,44 e Kosovës,e cila është miratuar dhe që ka një sërë marrëveshjesh mes Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së, përfshi krijimin e asociacioneve serbe në Kosovë dhe krijimi i kësaj do ishte një hap më para, për të siguruar të drejtat e atyre serbëve që jetojnë në Kosovë”.

“Marrëveshja është arritur së paku 6 vjet më parë dhe Prishtina refuzon të respektojë detyrimet. Ne promovojmë këtë dialog, por për fat të keq kolegët tanë nga BE të cilët kanë vendosur të jenë ndërmjetës dhe kanë arritur disa rezultate dhe atë që unë përmenda, nuk kanë arritur të sigurojnë zbatimi ne këtyre marrëveshjeve. Këmbëngul që kjo çështje do të zgjidhet në bazë të marrëveshje që është arritur dhe asaj çfarë është miratuar në Kombet e Bashkuara”.

Kryeministri Rama u shpreh se “po diskutuam rreth kësaj dhe po flasim për këtë edhe me ju publikisht. Për këtë çështje jemi shumë larg duke qenë se qëndrimi ynë është i qartë. Unë mendoj se është në të mirë të gjithkujt edhe të Serbisë që të njohë Kosovën siç është dhe kjo nuk përjashton në të kundërt ne e kemi mbështetur gjatë gjithë kohën dialogun, pajtimin, gjetjen e mirëkuptimit për ta arritur realizimin e kësaj njohje, por jo duke nisur me parimin e gabuar që kjo njohje nuk ka ndodhur asnjëherë, se kjo është ta nisësh nga një pikë nga ku mund të ecim përpara”.

“Po është e vërtetë ajo që tha ministri që ka pasur shumë aspekte të dialogut të materializuara në marrëveshje, të cilat nuk e kanë parë dritën e realizmit dhe realitetit sa i takon zbatimit të tyre. I shpjegova ministrit Lavrov se na duhet të rinisim procesin e të kuptojmë se kur bëhet fjalë për marrëveshjet unë besoj se palët e fajësojnë shumë njëri tjetrin, si përherë, por nuk do i hyj kësaj për të thënë që pala serbe nuk ka përmbushur marrëveshjen e kështu me radhë se kjo nuk ndihmon”.

“Unë do ti thoja ministrit opinionin tim, që vullneti i njerëzve nuk mund të jetë me standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për të njohur ose për të mos njohur atë çka vullneti i njerëzve sjellë në jetë për popullatat. Dhe për një popullatë, ai ajo shqiptare në Kosovë që ka jetuar nën sundimin e një shteti që nuk e ka zgjedhur ajo, nuk e shoh pse të tjerët kanë të drejtën të ndahen e të kenë shtetet e tyre dhe Kosova jo. Megjithatë ky është një kapitull tjetër”.

Kryeministri Rama tha se “pozita e qeverisë shqiptare dhe e imja është shumë e qartë, sa më shpejt Serbia të njohë Kosovë, aq më mirë do të jetë për të gjithë dhe sigurisht për vetë Serbinë”.

 

Fraksion.com