AktualitetBota+Të fundit

Protesta kundër hapjes së qendrave të ndalimit për migrantë në Greqi

Dhjetra policë grekë janë lënduar në përpjekje për të ndalur protestat e banorëve, në dy ishuj në lindje të Greqisë, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e qendrave të reja për ndalimin e migrantëve.

Ishujt e Detit Egje të Greqisë janë një pikë kryesore e hyrjes për migrantët që kërkojnë jetë më të mirë në Bashkimin Evropian.

Menaxhimi i fluksit të migrantëve – dhe pakënaqësia në rritje midis banorëve të ishujve grekë – po bëhet një sfidë për qeverinë e qendrës së djathtë në Athinë.

Autoritetet lokale shpallën një grevë 24-orëshe dhe organizuan protesta në ishujt Lesbos dhe Chios, për të protestuar kundër planeve të qeverisë, për ndërtimin e qendrave të reja të paraburgimit si zëvendësim për kampet ekzistuese.

Policia tha se 43 oficerë pësuan lëndime, raporton AP.

Dymbëdhjetë persona u arrestuan nën dyshimin e përfshirjes në sulm.

Ishulli Lesbos, dhe në një masë më të vogël Chios, çdo vit pranojnë dhjetëra mijëra njerëz që shpëtojnë nga lufta ose varfëria në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë.

Migrantët kalojnë nga brigjet e afërt turke me anije të vogla, të siguruara kryesisht nga kontrabanduesit.

Sipas një marrëveshje të vitit 2016 midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë, migrantët që arrijnë në ishuj, duhet të qëndrojnë atje derisa të përpunohen kërkesat e tyre për azil – dhe nëse këto refuzohen, ata duhet të kthehen në Turqi.

Por, vonesat në procesin e azilit, shoqëruar me fluks të rritur migrantësh, çuan në një përkeqësim të kushteve të jetesës në kampet ekzistuese

Lesbos, me një popullsi të përhershme prej 85,000 banorësh, tani ka më shumë se 21,000 migrantë, sipas të dhënave zyrtare.

Banorët e ishullit kundërshtojnë ndërtimin e objekteve të reja dhe duan që të vjetrat të mbyllen.

Afro 60,000 migrantë dhe refugjatë mbërritën në ishujt Grek vitin e kaluar, pothuajse dyfishi i numrit të regjistruar më 2018, ka thënë Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara.

 

Fraksion.com