Kompania estoneze IuteCredit paralajmëron padi kundër Kosovës
Drejtori i Përgjithshëm i IuteCredit për Evropën, Tarmo Sild, përmes një komunikate për media tha se ligji lejon që kur një investitor i huaj trajtohet padrejtësisht, në vend të përdorimit të mjeteve juridike vendore, të ndjekë arbitrazhin.
“Ne kemi përjetuar dhe përfunduar deri tani, se në Kosovë nuk mund të mbështetesh në procese gjyqësore vendore ose administratë publike transparente, që bazohet në sundimin e ligjit. Kjo është arsyeja pse ne kemi zgjedhur rrugën që është më efikase për të rregulluar situatën, ku Banka Qendrore e Kosovës ka revokuar papritur dhe në mënyrë të paligjshme licencën e biznesit nga filiali ynë në Kosovë”, tha zoti Sild.
Por, në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, tha se vendimi për heqjen e lejes së punës për këtë institucion është bërë në bazë të ligjeve në fuqi në Kosovë. Ai tha se palëve u është dhënë këshilla juridike që mund të ushtrojnë padi pranë gjykatës kompetente në afatin prej tridhjetë ditësh nga data e pranimit të vendimit, por se ushtrimi i padisë nuk e ndalon zbatimin e tij.
Zoti Sild tha se arsyeja kryesore për të vazhduar në arbitrazhin ndërkombëtar është dëmtimi i reputacionit dhe pasurisë së këtij institucioni financiar.
Ai vlerëson se heqja e licencës së biznesit në kohën kur portofoli i huave ishte afërsisht 12 milionë euro përhapur në më shumë se 25 mijë kredi, ishte një shkelje e detyrimeve të Kosovës sipas Ligjit të vet për Investime të Huaja, si dhe nuk kishte asnjë arsye të vlefshme për këtë veprim.
“Sot, IuteCredit është vendosur në një pozitë jashtëzakonisht të padrejtë në Kosovë dhe për këtë arsye ka pësuar humbje që duhet të kompensohen. Shuma specifike do të përcaktohet në këtë arbitrazh”, deklaroi zoti Sild.
Zoti Ahmeti ndërkaq tha se “Banka Qendrore e Kosovës vlerëson dhe është e bindur se vendimi është plotësisht në pajtueshmëri me kornizën ligjore në fuqi dhe është e gatshme të mbrojë këto vendime në cilëndo gjykatë që paraqitet nevoja”.
IuteCredit është një kompani për mikrokredi, me origjinë nga Estonia që përqendrohet kryesisht në kreditë me këste, përfshirë kreditë e makinave. Periudha mesatare e huas është 18 muaj. Kompania operon në Moldavi, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Bullgari dhe Bosnje dhe Hercegovinë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Banka Qendrore e Kosovës mori vendin t’u anulojë lejet punës dy institucioneve financiare: IuteCredit dhe Monego./voa
Fraksion.com