Maska për koronavirusin; Sa na mbron dhe kur përdoret
Përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, gjatë një konferencë për mediat, ku foli për koronavirusin, tregoi edhe kur duhet dhe kur nuk duhet të përdoren maskat. Duke u nisur nga fakti se ditët e fundit ka pasur shumë spekulime me shitjen e maskave, Tomini sqaroi se nuk këshillohet përdorimi i tyre në rast se nuk jeni të infektuar me virusin.
“ Theksojmë me shumë rëndësi vetëm në ato raste kur dyshohet se jeni të sëmur, jeni të vetëkarantinuar apo keni kontakte me persona të sëmur. Nuk rekomandohet përdorimi i maskës në ato raste kur nuk jeni të sëmur apo nuk keni paraprakisht rekomandimin mjekësor. Qytetarët të shtojnë masat; larje të duarve, përdorim i letrës sa herë tështimë, të minimizojmë prekjen me dorë të hundës dhe syze, etj. ”
Më tej, ajo sqaroi se duke qenë se virusi lindi dhe u përhap në sezoni e dimrit, si gjithë virozat e tjera gripale, me rritjen e temperaturave pritet të ketë një rënie të veprimit të tij. Ndërkohë, Tomini sqaroi edhe kur një pacient duhet të kryejë analizën për të parë nëse është i prekur nga virusi apo jo.
“ Është një infeksion respirator. U shfaq gjatë sezonit të dimrit. Survejanca është e forcuar dhe shpresojmë që në vazhdimësi kjo sëmundje do të ketë ulje. Realisht ka disa kritere për të vendosur nëse ky pacientë duhet testuar apo jo. Ky vlerësim klinik bëhet aktualisht nga Qendra e Sëmundjeve Infektive në QSUT. Triazhimi klinik bëhet nga mjekët për të gjithë rastet që kanë shenja klinike. Diagnoza laboratorike bëhet nga ISHP. Rezultati del brenda 8 deri në 12 orëve.
Aktualisht që flasim nuk kemi raste të dyshuara për 8 rastet e djeshme të testuara. Janë vlerësuar në nivel kombëtar 4300 raste vetëm në nivelin e aeroportit. Pjesa tjetër e rasteve të vlerësuara janë vlerësuar në pikat kufitare detare e tokësore. U kemi sugjeruar gjithë udhëtarëve që vijnë nga zonan e Lombardisë për vetëkarantinim. “, tha Tomini
Fraksion.com