AktualitetRajoniTë fundit

Konfirmohet rasti i parë me koronavirus në Kroaci

Në Kroaci është konfirmuar rasti i parë me sëmundjen e koronavirusit të ri.

Këtë e bëri të ditur kryeministri, Andrej Plenkoviq, i cili saktësoi se i infektuari është një burrë i ri, gjendja e të cilit është stabile.

Raportohet se ai është i shtruar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive “Dr. Fran Mihaljeviq” në Zagreb.

Ministri i Shëndetësisë i Kroacisë, Vili Berosh, tha se virusi u konfirmua te një person që ka qenë në Milano të Italisë.

“Sistemi shëndetësor është i gatshëm dhe ne po bëjmë gjithçka për sigurinë e kombit tonë. Nuk ka nevojë për panik, kjo sëmundje është si një grip i zakonshëm”, shtoi Berosh.

Mbi 2.600 njerëz kanë vdekur në Kinë nga ky virus, që u paraqit për herë të parë në provincën kineze të Hubeit.

Numri i rasteve të prekura në botë ka kaluar tashmë 80,000.

Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë të hënën se bota duhet të bëjë më shumë për t’u përgatitur për pandemi të mundshme.

OBSH-ja ka thënë se është ende herët që shpërthimi i koronavirusit të trajtohet si pandemi, por, sipas saj, vendet “duhet të jenë në fazën e përgatitjeve”./rel

 

Fraksion.com