Itali: 283 të infektuar dhe 7 viktima nga koronavirusi
Italia shënon viktimën e shtatë nga koronavirusi, ndërsa numri i personave të infektuar ka shkuar në 283. Viktimat janë kryesisht të moshuar.
Bilanci i koronavirusit në Itali rritet në 7 të vdekur dhe 283 të infektuar: 212 raste dhe 6 viktima në Lombardi; 38 raste dhe një viktimë në Veneto; 18 raste në Emilia Romagna, 3 në Piemonte dhe Lazio, një në Tirolin e Jugut dhe një në SIçili. Një turiste nga Bergamo e cila me pushime në Palermo pati disa simptoma të gripit dhe u shtrua në spital pasi dyshohet se ka koronavirus. OBSH paralajmëron për një pandemi të mundshme.
Milano duket i zbrazur, shkolla të mbyllura, metro dhe trena të zbrazët. Në Veneto, një fermer 60-vjeçar dyshohet si ”pacienti zero” që mund të ketë përhapur koronavirusin pasi kishte qenë në Codogno dhe qendra të tjera në zonën e Lodmbardisë dhe tani ka simptoma të kollës dhe gripit.
Në Vo ‘Euganeo (Padova), ku u regjistrua viktima e parë, masat e mbrojtjes së “zonës së kuqe” fillojnë në orën 7. Mbi 50 mijë njerëz janë vendosur në karantinë në komunat e izoluara.
Autoritetet kanë izoluar 11 bashki midis Lombardisë dhe Venetos, në zonat e shpërthimeve. Në zonën e Lodit, policia bllokoi zonat e hyrjes dhe daljes, duke njoftuar shoferët se sapo të hynin në bashki, ata nuk do të mund të dilnin dhe anasjelltas.
Ndërkohë, janë kthyer në vend italianët që ishin ndaluar në Mauricius. Deri në mes të Marsit ndërkohë, kompanitë në gjashtë rajone në veri të Italisë, do të mund të aplikojnë punën në distancë ose të ashtuquajturën smart working. Deri më 15 mars ndërkohë janë pezulluar të gjitha aktivitetet shkollore si ekskursione apo projekte shkëmbimi apo binjakëzimi.
Një rast i dyshuar për koronavirus është regjistruar edhe në Firence, një italian i kthyer nga Singapori, ndërkohë që pritet rezultati i testeve.
Ndërkohë, kryeministri italian, Giusepe Conte, ka pranuar se menaxhimi i epidemisë së koronavirusit nuk ka qenë tërësisht në përputhje me protokollin e një spitali c’ka edhe mund të ketë kontribuar në përhapjen e virusit në Itali.
“Menaxhimi në nivelin e një strukture spitalore nuk ka qenë tërësisht në përputhje me protokollet që janë rekomanduar në këto raste dhe kjo sigurisht ka kontribuar në përhapjen. Por, ne vazhdojmë të ndjekim me rigorozitet situatën dhe ju premtojmë se do të bëjmë maksimumin, ditë e natë”, tha Konte.
Duke folur nga selia e mbrojtjes civile, Konte ka pranuar kështu se ditët e shkuara është bërë një gabim që po paguhet shtrenjtë tashmë nga vendi.
Fraksion.com