AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Vuçiç: Serbia do të përballet me ultimatum për Kosovën gjatë këtij viti

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i tha të dielën televizionit proqeveritar Prva, se deri në fund të vitit Serbia do të marrë një ofertë të cilën nuk do të jetë në gjendje ta pranojë, por nuk do të guxojë ta refuzojë.

“Do të provojnë të na japin garanci për anëtarësim në Bashkimin Evropian por me kusht që ta njohim Kosovën dhe do të ofrojnë status të posaçëm për serbët në fusha të caktuara”, tha presidenti serb, duke theksuar se për këtë do të pyes pastaj qytetarët e Serbisë.

Ai tha se tre vjet më parë kishte hedhur idenë e tij për këtë çështje por nuk ishte pranuar nga serbët, duke ju referuar idesë së tij për “vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, që nënkuptonte ndarjen e Kosovës.

Në verën e vitit 2018 presidenti serb Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi folën për idetë e “korrigjimit të kufijve” apo “vënies së kufijve”, që nga analistët janë interpretuar si synime për shkëmbim territoresh.

Në nëntor të vitit 2018, qeveria e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave nga Serbia si kundërveprim ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës.

Ish kryeministri Haradinaj ka theksuar më pas në disa raste se tarifat e penguan formalizimin e ndarjes së Kosovës.

Idetë për prekje kufijsh nxitën reagime të ndara edhe në skenën ndërkombëtare. Disa nga vendet e mëdha të BE-së kundërshtuan idetë e tilla që sipas tyre mund të nxisin reagime zinxhirore në rajonin e Ballkanit, që ende nuk është ripërtërirë nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara thonë se të dyja palët duhet të arrijnë një marrëveshje normalizimi e cila “në thelb duhet të ketë njohjen e ndërsjellë”.

Në vjeshtën e vitit 2018 Beogradi u tërhoq nga bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian duke kushtëzuar vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave, por qeveria Haradinaj refuzoi deri në fund edhe trysninë ndërkombëtare për heqjen e tyre.

Thirrjet për heqjen e tarifave janë shtuar pas formimit të qeverisë së re të kryeministrit Albin Kurti, i cili është zotuar të bëj një gjë të tillë, por duke i zëvendësuar tarifat me masat e reciprocitetit të plotë me Serbinë.

Krahas thirrjeve për heqjen e tarifave nga Prishtina, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Beogradit të pushojë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Lufta Prishtinë – Beograd për numrin e njohjeve të Kosovës

Kosova më 17 shkurt shënoi përvjetorin e dymbëdhjetë të pavarësisë që u shpall me mbështetjen e perëndimit, ndërsa kundërshtohet nga Serbia e cila është vënë në fushatë për tërheqjen e njohjeve dhe pengimin e njohjeve të reja.

Autoritetet në Kosovë thonë se vendi është njohur nga 116 vende, ndërsa Beogradi pohon se përveç që i ka ndalur njohjet ka arritur të sigurojë tërheqjen e saj nga 16 vende.

Gjatë javës, autoritetet në Prishtinë u vunë në situatë të sikletshme pasi Xhamajka mohoi njoftimet se e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Drejtoresha për komunikim publik në ministrinë e Jashtme të Xhamajkës, Delona Flemming, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, tha se zyrtarët e kësaj ministrie janë vënë në dijeni për raportimet e fundit.

“Çështje si këto janë në shqyrtim të vazhdueshëm nga qeveria e Xhamajkës, megjithatë deri tash ende nuk kemi marrë ndonjë vendim sa i takon Kosovës”, shkroi ajo duke nënvizuar se “është për keqardhje që mund të ketë ndodhur një keqkuptim i pozicionit të Xhamajkës”.

E gjetur nën kritika, ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, shkroi në rrjetet sociale se është përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamjaka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. “Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje. Çdo gjë do të sqarohet me kohë”, shkroi ajo.

Njohësit e kësaj fushe në Kosovë e vlerësuan situatën e krijuar si shpërfaqje të mungesës së bashkërendimit të institucioneve.

Gëzim Visoka profesor në Universitetin e Dublinit i tha Zërit të Amerikës se lajmi për njohjen nga Xhamajka duket se ishte keqkuptim diplomatik.

“Nga përvoja në të kaluarën e dimë se diplomatët e Kosovës janë të kujdesshëm që të mos publikojnë vendimet për njohje para se ato të formalizohen, kjo për shkak se ekziston rreziku që Serbia dhe aleatët e saj të ndërhyjnë duke parandaluar apo shtyrë për një kohë të pacaktuar një vendim të tillë”, tha ai, duke nënvizuar se kjo do të duhej të shërbente si kujtesë se bashkërendimi ndërmjet institucioneve të Kosovës është thelbësor për suksesin dhe besueshmërinë në politikën e jashtme të saj.

Ambasadori amerikan Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, ndërmjetësoi dy marrëveshje për më pak se një muaj për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe autostradat ndërmjet të dyja vendeve.

Marrëveshjet u nënshkruan pa praninë e Bashkimit Evropian, i cili muajin e ardhshëm pritet të emërojë një të dërguar të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi./VOA

 

Fraksion.com