Triumfojnë SPD-ja dhe Të Gjelbrit në Hamburg
Pas zgjedhjeve lokale në Hamburg, Partia Socialdemokrate, SPD mbetet forca kryesore politike, e pasuar nga Të Gjelbrit. CDU pësoi humbje të thellë, kurse AfD duhej të priste gjatë për futjen në parlamentin e qytetit.
“Opcioni i afërt”
Kryebashkiaku i Hamburgut, Peter Tschentscher, (SPD) e fituesi i zgjedhjeve bëri të ditur, se shpejt do të ketë bisedime me Të Gjelbrit për përsëritjen e koalicionit si “opcioni i afërt”. Të dyja partitë do të arrinin në Hamburg gati një shumicë dy të tretat. Por Tschentscher do të zhvillojë bisedime edhe me humbësin e zgjedhjeve, CDU. Sepse teorikisht në bazë shifrash mund të arrihej një shumicë edhe me një koalicion të konservatorëve me socialdemokratët.
Në zgjedhjet e Hamburgut, partia populiste e djathtë, AfD duhej të priste gjatë për futjen në parlament. Në fund ajo arriti të kalojë pragun e 5% me një rezultat 5,3%. Edhe liberalët e FDP-së arritën të kalojnë pragun zgjedhor dhe janë prezentë në parlamentin e ardhshëm pas rezultatit 5,0%. Zgjedhjet në Hamburg shënuan një pjesëmarrje të lartë zgjedhore, 63,3%, gati 7% më shumë se në zgjedhjet e vitit 2015./DW
Fraksion.com