AktualitetRajoniTë fundit

Shqipëria nuk do bllokojë për momentin fluturimet me Italinë për shkak të koronavirusit

Shqipëria ka vendosur të mos ndërpresë për momentin linjat ajrore dhe ato detare me Italinë, vend ku deri mesditën e sotme janë mbi 200 rastet e verifikuara me koronavirus, ndërsa 5 persona, të cilët vuanin dhe nga sëmundje të tjera, kanë humbur jetën. “Masat tona do të jenë në proporcionalitet me shkallën e riskut”, tha sot ministria e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, gjatë mbledhjes së Task Forcës e cila u zhvillua në mjediset e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës.

Vetëm në këtë aeroport gjatë ditës së sotme kanë mbërritur dhe pritet të vijnë 17 fluturime nga 11 qytete italiane, 7 nga të cilat janë pikërisht në zonën veriore të vendit ku janë verifikuar dhe rastet me të shumta me koronavirus.

Ministrja Manastirliu shpjegoi se “masat e marra nga Shqipëria janë në përputhje me protokollet e miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, dhe për momentin konsistojnë në dyfishimin e personelit mjekësor në pikat e kalimit kufitar , si dhe në porte e aeroporte. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë afro 4500 udhëtarë të mbërritur në vend, të cilët i janë nënshtruar verifikimeve. Në aeroportin “Nënë Tereza”, janë krijuar dy korridore kalimi ku udhëtarët i nënshtrohen matjes së temperaturës me termometra me lazer, ndërkohë që autoritetet marrin paraprakisht nga kompanitë e fluturimeve dhe listën e pasagjerëve.

Deri më tani në Shqipëri nuk ka patur asnjë rast të konfirmuar me koronavirus. Të paktën 6 raste të dyshuara, rezultuan negativ pas analizave. Një tjetër rast është në pritje të përgjigjes së analizave.

Ministrja Manastirliu deklaroi se “nuk ka vend për panik”, ndërsa ftoi qytetarët të shtojnë kujdesin për higjienën e tyre. Ajo tha se ka firmosur sot dhe një urdhër për masa të shtuara të higjienës dhe në institucionet shkollore.

 

Fraksion.com