AktualitetRajoniTë fundit

Shënohet viktima e pestë në Itali nga koronavirusi; Veriu mbyllet në karantinë

Situata e koronavirusit në Itali vazhdon të jetë shqetësuese teksa numri i personave të konstatuar të infektuar ka shkuar mbi 200, 165 prej të cilëve vetëm në Lombardi, kurse numri i atyre që kanë humbur betejën është rritur në pesë. Dy viktimat e reja janë dy burra, 84 dhe 86 vjeçarë nga qyteti Bergamo.

Nga e shtuna në mbrëmje qeveria italiane miratoi një dekret për izolimin e vendeve prej ku shpërthyen rastet e të infektuarve. Për momentin nuk është e mundur të futesh apo dalësh në 11 komuna në rajonin Veneto dhe rreth 50 mijë banorë po mbahen të bllokuar. Zonat e izoluara po menaxhohen nga policia dhe, nëse është e nevojshme, edhe nga ushtria, me sanksione penale për ata që shkelin aktet e dekretit.

Ndërkaq Lombardia, Liguria, Emiglia Romagna, Friuli Venezia Giulia, Piemonte dhe Veneto janë në gjendje karantine ku janë pezulluare eventet publike, shkollat do të qëndrojnë të mbyllura për të paktën 1 javë. Nga dje janë pezulluar edhe ndeshje të Seria A të cilat më tutje mendohet të zhvillohen pa praninë e spektatorëve.

Si masë e nevojshme parandaluese janë anuluar edhe karnavalet e famshme të Venecias dhe deri më 1 mars edhe të gjitha ngjarjet rekreative dhe sportive, të cilat përfshijnë grumbullime në vende publike ose private dhe dezinfektimin e trenave rajonalë dhe jo-rajonalë. Edhe në Milano është mbyllur katedralja ‘Duomo’, simbol i kryeqytetit Lombard, si edhe kinematë, teatrot, pubet dhe diskotekat.

Nga frika e epidemisë në shumë komuna të veriut të Italisë, banorët janë dyndur në supermarkete duke u furnizuar ekstra me ushqime duke bërë që shpejt të zbrazen raftet.