Life StyleTë fundit

Një histori vampirësh: Kur ligësia është virusi më ngjitës që ekziston!

“Nëse lufton përbindëshat, nuk bëhesh gjithnjë një i tillë. Por nuk je më as njeri”!

Kjo thënie e autorit të njohur të librave fantazi, Jonathan Maberry, mbi librin e të cilit është bazuar seriali që do të sjellim sot në rubrikën javore të filmave, tregon më së miri subjektin e historisë së re të vampirëve që do të sjellim sot.

“V Wars” është serial fantazi horror i cili ka dalë në vitin 2019 në Netflix dhe ka një kast të mahnitshëm aktorësh, mes të cilëve vampiri i famshëm i “Vampire Diaries” , Ian Somerhalder.

Vetëm se këtë herë, ky i fundit nuk është më ai vampiri seksi që joshte Elena-n, por luan rolin e një doktori që lufton kundër së keqes!

Si nis historia!

Dr. Luther Swann hyn në një botë tmerri kur një virus misterioz shndërron mikun e tij më të mirë, Michael Fayne (Adrian Holmes), në një grabitqar vrastar, një lloj vampiri i cili ushqehet me njerëz të tjerë.

Ndërsa sëmundja përhapet dhe më shumë njerëz transformohen, shoqëria renditet në kampe kundërshtare duke i futur njerëzit normalë kundër këtyre vampirëve.

Swann garon me kohën për të kuptuar se çfarë po ndodh, ndërsa Fayne ngrihet dhe bëhet udhëheqësi i fuqishëm nëntokësor i Vampirëve.

Shkenca vs Bota e mbinatyrshme

Përpos faktit që virusi do të krijojë një popullatë të tërë vampirësh, performanca e Somerhalder dhe e kastit janë të bazuara në botën e vërtetë.

Në një intervistë të dhënë pak kohë më parë për TV Guide, Ian tregoi se seriali është shumë ndryshe nga “Ditari i Vampirëve”. Ai tha se projekti i tij i ri, lidhet më tepër me shkencën sesa me fantazinë dhe të mbinatyrshmen.

“Këto krijesa vijnë si rezultat i një sëmundjeje. Ato nuk janë 165 vjeç; por fenomeni është krejt i ri, në një kohë reale. Ju po e përjetoni ashtu siç po ndodh. Ajo që po ndodh do të jetë e çmendur”.

Kur sfidohen miqësitë e vërteta!

Virusi vë në provë miqësinë e Swann dhe Fayne, përveç faktit që ata kanë kaluar shumë eksperienca së bashku. Të dy shokët infektohen nga virusi, dhe vendosen në karantinë, ku studiohen, por doktori Swann shpëton për mrekulli dhe ndihet në faj që miku i tij nuk ia doli!

 

Fayne përjeton simptoma të çudtishme si dëgjimi i ndjeshëm, vizioni dhe forca. Ai gjithashtu fantazon të pijë gjakun e të dashurës së tij Danika (Kimberly-Sue Murray). Një natë, ai telefonon mikun e tij Swann dhe i tregon se nuk e mban mend që ka vrarë dikë në një apartament të lyer gjithandej me gjak. Fayne e ndihmon atë të pastrojë apartamentin dhe të fshehë gjurmët, por më pas ai pendohet dhe shkon në polici.

Ka dhe Vampirë “të mirë”!

Teksa ai përpiqet të mposhtë virusin që po i kthen njerëzit në përbindësha, falë doktor Swann ne mësojmë se ekzistojnë dy lloje të ndryshme vampirësh, The Bloods dhe The Vourdalaks. Por, cili është ndryshimi midis dy specieve?

Dr. Luther Swann ka një hipotezë sipas së cilës, gjenet e një personi vendosin nëse ai do të bëhet Bloods apo Vourdalak.

The Bloods njihen si “Kombi i Gjakut”. Ata janë njerëzit që janë infektuar në Antarktik, ku virusi u shpërnda fillimisht. Kanë aftësi të tilla si shërimi, super forca, përmirësimi i shikimit dhe dëgjimit dhe super shpejtësi. Janë përpjekur të kontrollojnë dëshirat e tyre, dhe të ushqehen me kafshë duke e ditur se kjo nuk do të kënaqte etjen e tyre, por shumica ushqehen nga njerëz dhe nuk arrijnë ta kontrollojnë etjen e tyre, duke i vrarë ata.

Ndërsa Vourdalaks mund të ushqehen me një person pa e vrarë atë. Kafshimi i tyre prodhon një helm që e bën viktimën e tyre të ndjehet sikur pi drogë dhe kjo i bën që ata ta shijojnë momentin kur gjaku i tyre thithet.

“Netflix” e kuptoi se nëse je duke bërë një serial në lidhje me vampirët, duhet të drejtohesh te profesionistët. Somerhalder kaloi vite duke nderuar rolin e tij si vampiri Damon Salvatore në “Vampire Diaries”, dhe nuk është vampiri i vetëm në kast! V Wars gjithashtu ka pjesë të kastit bashkëshorten e tij Nikki Reed që u bë e famshme nga “Twilight”.

 

Fraksion.com