AktualitetTë fundit

“Mbi 100 mijë euro të padeklaruara”; Kapet në Sarandë i moshuari francez

Policia e Sarandës ka sekuestruar mbi 100 mijë euro dhe ka proceduar penalisht një të moshuar francez, i cili nuk kishte deklaruar shumën në kufi.

Uniformat blu të Sarandës njofton se i moshuari francez kishte hyrë në Shqipëri nga aeroporti i Rinasit, prej ku kishte arritur të fuste shumën e padeklaruar, ndërsa në vendin tonë nuk kishte zbardhur edhe rregullat e qarkullimit rrugor.

Kështu, është proceduar penalisht 70-vjeçari R. Ch., i cili akuzohet për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, si dhe “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Njoftimi i policisë:

Sarandë

Policia e Sarandës sekuestron 106 890 euro dhe 102 dollarë.

Procedohet penalisht një shtetas francez.

Policia e Sarandës gjatë kontrolleve të ushtruara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si edhe si rezultat i shkëmbimit në kohë të informacionit me Policinë Kufitare të Rinasit, godet një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Policia ka shoqëruar shtetasin francez R. Ch., 70 vjeç dhe gjatë kontrollit këtij shtetasi i janë gjetur 106 890 euro dhe 102 dollarë.

Ky shtetas kishte hyrë në Shqipëri nëpërmjet aeroportit të Rinasit dhe nuk kishte deklaruar shumën e të hollave në kufi, sipas ligjit dhe në momentin e gjetjes së shumës së parave nuk dispononte dokument me vete për të justifikuar burimin e tyre.

Nën drejtimin e prokurorisë, u kryen veprimet procedurale, u bë sekuestrimi i shumës së parave dhe shtetasi R. Ch. u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjithashtu, ky shtetas u procedua edhe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti.

 

Fraksion.com