Këshilltari i Sigurisë Kombëtare mohon ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje
Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien tha të dielën se nuk ka parë “asnjë provë” se Rusia po bën diçka për të ndihmuar Presidentin Donald Trump që të rizgjidhet, por pranoi se nuk ka kërkuar informacione nga zbulimi sipas të cilave, Moska po ndërhyn në zgjedhjet amerikane të vitit 2020.
Sipas njoftimeve që rodhën javën e kaluar, zyrtarët amerikanë të zbulimit i kishin thënë ligjvënësve të komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve që kontrollohet nga demokratët, se Rusia po punonte për të ndihmuar zotin Trump që të fitonte një mandat të dytë pas përpjekjesh të ngjashme në vitin 2016.
Por zoti O’Brien i tha rrjetit televiziv “ABC News” se: “këtë gjë do ta vija në dyshim. Thjesht nuk ka kuptim. Pse do të donin ata (rusët) që ai të rizgjidhej?!“, shtoi ai. Duke mbështetur këtë argumentim të tij zoti O’Brien tha se zoti Trump e kishte forcuar aleancën e NATO-s kundër fuqisë ushtarake ruse, duke i shtyrë vendet evropiane që të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen.
“Nuk kam parë ndonjë informacion të zbulimit se Rusia po përpiqet të ndihmojë Presidentin Trump që të rizgjidhet“, tha zoti O’Brien.
“Do të doja të kisha çfarëdo analize që ata kanë e të sigurohem që është diçka me bazë“, tha ai. “Por nga ajo që kam dëgjuar, dhe e gjitha është vetëm nga ajo që kam dëgjuar në shtyp, kjo gjë nuk ka kuptim“, tha ai.
“Nëse dikush nga bashkësia e zbulimit ka diçka ndryshe, unë do të isha i lumtur t’i hidhja një vështrim. Thjesht nuk kam parë asgjë“, tha ai.
Senatori i Vermontit Bernie Sanders, aktualisht rivali kryesor për t’u përballur me zotin Trump në zgjedhjet kombëtare të muajit nëntor, është njoftuar nga zyrtarët amerikanë të zbulimit se Rusia po përpiqet të ndihmojë fushatën e tij në mënyrë që ai të jetë kandidati zyrtar i demokratëve ndoshta me teorinë se një demokrat socialist i vetëshpallur si zoti Sanders, do të ishte kundërshtari më i dobët përballë zotitTrump.
“Nuk është për t’u habitur, ai e bëri muajin e mjaltit në Moskë“, tha zoti O’Brien lidhur me interesin rus për kandidaturën e zotit Sanders.
Presidenti Trump dhe senatori Sanders kanë reaguar në mënyra të ndryshme ndaj raporteve lidhur me ndërhyrjen ruse në fushatat e tyre.
Ndërsa po nisej drejt Indisë për vizitë zyrtare, zoti Trump fajësoi ligjvënësin demokrat Adam Schiff, kryetarin e komisionit të Zbulimit i cili drejtoi dhe procesin për shkarkimin e tij nga posti i presidentit, për publikim të informacionit lidhur me ndërhyrjen ruse.
Në një tubim në kuadër të fushatës në Nevada të premten, zoti Trump tha se ky “ishte dezinformim”.
“Kjo është e vetmja gjë për të cilën ata janë të mirë dhe asgjë tjetër”, tha zoti Trump.
Zoti Sanders tha se: “popullit amerikan, qoftë republikan, demokrat, apo i pavarur, i ka ardhur në majë të hundës me Rusinë dhe vendet e tjera që ndërhyjnë në zgjedhjet amerikane“.
Ai i tha gazetës “The Washington Post” se: “nuk më intereson se kë dëshiron Putini që të jetë president. Mesazhi im për të është i qartë: të qëndrojë larg zgjedhjeve amerikane dhe si president unë do të sigurohem që kjo të ndodhë“.
Fraksion.com