Vrasjet në Hanau: Nën pretekstin se po spostohen gjermanët
Eksperti Jan Rathje e sheh atentatin e Hanaut, në kontekstin global të ekstremizmit të djathtë. Sulmuesit veprojnë vetëm, por të gjithë i bashkon botëkuptimi racist, thotë ai.
Rathje: E çuditshme që atentatori i dyshuar në video flet anglisht. Po anglisht ka folur edhe autori që planifikonte një gjakderdhje në Halle. Kjo do të thotë, se synohet adresimi i një komuniteti ndërkombëtar. Këtë e synonte edhe sulmuesi në Christchurch. Megjithatë në bazë të njohurive që kemi sot, ka disa të dhëna që nuk përshtaten me të tjerat. Kështu në video, sulmuesi i drejtohet popullsisë në SHBA, kurse në letrën që ka lënë pas, e që besohet se është prej tij, ai i drejtohet popullit gjerman.
Me sa pavarësi veprojnë autorë të tillë krimesh?
Krimin këta persona e kryejnë vetë. Por nuk duhet harruar sfondi kulturor, brenda të cilit kanë qarkulluar këta njerëz. Edhe ky atentator i dyshuar, kishte një botëkuptim të plotë ekstremist të djathtë, që në masë të madhe udhëhiqej nga ideologjia e konspiracionit, pra nga përfytyrimi, se fuqi të fshehura në prapaskenë janë përgjegjëse për të këqijat e botës. Kjo ideologji ishte e ngjizur me fantazi raciste të shfarosjes, antisemitizmin dhe ide antifeministe.
Me sa duket luan rol këtu edhe ideja e të ashtuquajturit zëvendësim i popullsisë, pra përfytyrimi, se popullsia vendase në vendet perëndimore, po spostohet nga emigrantët, ose madje duhet të zëvendësohet nga emigrantët. Ky duket një motiv që përsëritet.
Kjo ide është aktualisht motivi kryesor ideologjik i të djathtës ekstreme, kur bëhet fjalë për terrorin. Ky është miti i gjoja zëvendësimit të madh, në SHBA gjendet që nga vitet 90-të, tek ultra-ekstremistët e djathtë dhe është quajtur “gjenocid i bardhë”, pra shihet si gjenocid ndaj të bardhëve. Kjo është një histori e vjetër. Që në librin “Mein Kampf” shkruan Hitleri për këtë, pra një motiv i vjetër, që tani po bëhet sërish i fuqishëm.
A mund të ndalen atentate të tilla?
Tek persona të veçuar, që radikalizohen, duke u lidhur në mënyrë anonime në komunitetet online, kjo është e vështirë. Këtu vetëm mund të vëzhgohet dhe të merret seriozisht, kur njerëzit ndryshojnë. Për këtë nevojitet kontakti dhe vëmendja, kur njerëzit i lëshojnë publikisht deklarata, qofshin të llojit diskriminues, qofshin të lidhura me fantazi dhune. Aty duhet që të mbash vesh. Tani duhet parë më me vëmendje, se çfarë ka publikuar sulmuesi i Hanaut, çfarë videosh dhe dokumentesh ka vënë online. Por nganjëherë është shumë e vështirë, të identifikosh persona, që nuk qarkullojnë në qarqet esktremiste të djathta që njihen, për shembull në grupime kameradësh apo në një parti. Këtu duhet të jesh më shumë i vëmendshëm.
Kontrollohet shumë pak leja e armës?
Edhe në Gjermani megjithë një legjislacion të fortë për armët, ndryshe nga SHBA, ekziston problemi që zotërojnë armë njerëzit që kanë edhe fantazi të dhunës dhe terrorit. Këtu duhet që autoritetet, organizatat që merren me armët apo lejet e tyre të identifikojnë këta njerëz dhe të marrin seriozisht të dhënat.
Jan Rathje është ekspert për njohjen e ekstremizmit të djathtë dhe racizmit tek Fondacioni Amadeu Antonio, një organizatë që ka marrrë emrin e Amadeu Antonio Kiowa nga Angola që u bë viktimë e dhunës së ekstremistëve të djathtë në Gjermani pas ribashkimit në vitet 90-të./DW
Fraksion.com