Presidenti e heq përgjegjësinë, e ngarkon Vlora Çitakun për skandalin me njohjen e Xhamajkës
Nga presidenca kanë reaguar pas lajmit se Xhamajka nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.
Nga zyra e presidentit Hashim Thaçi kanë deklaruar se përgjigje për këtë temë duhet të japin në MPJ.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte i pari që dha lajmin se Xhamajka e ka njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Ai tha se për këtë e ka lajmëruar ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.
Mirëpo, ky lajm vetëm pak orë më vonë u demantua nga Ministrja e punëve të Jashtme të Xhamajkës që ka mohuar se vendi i saj ka njohur Kosovën.
Nga zyra e presidentit, të kontaktuar nga Gazeta Express kanë deklaruar se për njohjen janë lajmëruar nga Çitaku, derisa për informacione tjera kanë thënë se duhet që të flasin në MPJ.
“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është njoftuar mbrëmë zyrtarisht nga Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, për njohjen nga shteti i Xhamajkës. Të njëjtin njoftim, ambasadorja e ka dërguar edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme. Presidenti këtë njoftim e ka bërë publik përmes profilit të tij në Tëitter. Për informacione tjera, luteni t’i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të Presidencës.
Lajmin për njohjen e shtetit të Kosovës nga Xhamajka mbrëmë e përshëndetën të gjithë liderët në vend. Sot ndërkaq, ende nuk ka pasur reagim nga kryeministri apo liderët tjerë./GazetaExpress
Fraksion.com