Iranianët votojnë në zgjedhjet parlamentare
Iranianët votojnë sot në zgjedhjet parlamentare, të cilat pritet të rezultojnë me një parlament edhe më besnik ndaj udhëheqësit suprem të këtij vendi, Ajatollah Ali Khamenei.
Këto janë zgjedhjet e para prejse Shtetet e e Bashkuara i kanë rikthyer sanksionet kundër Republikës Islamike, në maj të vitit 2018, për shkak të programit të saj bërthamor.
Këto sanksione e kanë goditur rëndë ekonominë e Iranit.
Mijëra kandidatë të moderuar janë ndaluar të marrin pjesë në zgjedhje, për shkak të, siç është thënë, mospërmbushjes së kushteve.
Vëzhguesit thonë se autoritetet shpresojnë për një pjesëmarrje të lartë të votuesve, si shenjë e mbështetjes për regjimin.
Kritikët e regjimit iranian u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bojkotojnë zgjedhjet, për shkak të, siç kanë thënë, abuzimit me të drejtat e njeriut dhe jotolerancës ndaj disidentëve.
Kandidatët që garojnë në zgjedhje dominohen nga konservatorët dhe ata të linjës më të ashpër.
Për rrjedhojë, rezultati pritet të dobësojë politikisht presidentin Hassan Rohani, i cili shihet si më i moderuar.
Më shumë se 7,000 kandidatë garojnë për 290 ulëset e parlamentit, të njohur si Majlis.
Ai është pjesë e një sistemi të përzier të qeverisjes demokratike dhe teokratike në Iran, nën të cilin, udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, e ka fjalën e fundit për çështjet më të rëndësishme.
Fraksion.com