“Bllokohet trageti, 6 të arrestuar”; Ja firma që do groposte mbetjet e rrezikshme nga Italia
Prokuroria e Vlorës bllokoi tragetin në të cilin një ditë më parë u gjendën mbetje kimike të rrezikshme në portin e qytetit.
Skema u zbulua me bllokimin në portin e Vlorës brenda një trageti të ardhur nga Brindisi i Italisë, ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe për mjedisin, të ndaluara me ligj në Shqipëri, mes të cilave edhe amianti, fibra natyrale, ndër shkaktarët kryesore të sëmundjeve kancerogjene.
Burime nga policia, thonë se kjo nuk ka qenë rruga e parë me mbetje të tilla. Lëndët e rrezikshme silleshin në Shqipëri përmes një firme pastrimi, “Delfini 1”, e cila rregullonte të gjitha dokumentacionet, duke i kamufluar mbetjet toksike sikur të ishin produkte kimike pastrimi. Për këtë arsye në pranga ka rënë Elisabeta Cuni, 55 vjeç, banuese në Vlorë, administratore e kësaj firme. Më tej, përmes një biznesi të autorizuar për t’u futur në port, nxirreshin mbetjet e rrezikshme dhe groposeshin në një pikë grumbullimi të mbetjeve të portit me bazë në Vlorë. Firma “Kornuzi” në lagjen “24 Maji” me akvititet prej vitit 2007, ka pronar Zamir Kornuzi, 46 vjeç, i arrestuar.
Fraksion.com