AktualitetNATO/BEPolitikëTë fundit

BE pro negociatave me Shqipërinë; Projekt-raporti po diskutohet mes vendeve anëtare

Vendeve anëtare të Bashkimit Europian u është shpërndarë një projektraport vlerësues për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Burime diplomatike në Bruksel thonë se raporti nuk pritet të ketë ndryshime nga ai që u prezantua tetorin e kaluar dhe bën thirrje për hapjen e negociatave me të dy vendet.

Komisioni Europian po i jep dorën e fundit raportit vlerësues për ecurinë e reformave të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, ndërsa ka përcaktuar 2 marsin si datë për diskutimin e tij.

Sipas “RTV Ora” se projektraporti i cili po qarkullon mes vendeve anëtare nuk pritet ndonjë ndryshim të madh nga vlerësimi që Komisioni ka bërë tetorin e kaluar me fokus kryesor mbështetjen e reformës në drejtësi dhe nxitje për përfundimin në kohë të reformës zgjedhore.

Gjetjet e këtij raporti nuk do të bëhen publike, por do të përdoren nga udhëheqësit e vendeve anëtare për të vendosur për fatin e negociatave.

Më herët, më 25 shkurt ministrat e Çështjeve Europiane do të diskutojnë mbi metodologjinë e re të zgjerimit të cilën Komisioni e paraqiti zyrtarisht më 5 shkurt.

Deri më tani publikisht Komisioni ka mbajtur vetëm një linjë vlerësimin pozitiv ndaj të dy vendeve dhe u ka bërë thirrje vendeve anëtare të ndihmojnë për rivendosjen e besueshmërisë së bllokut në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Si presidentja e Komisionit Ursula Von Der Leyen ashtu edhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varheily kanë theksuar se tani është radha e Bashkimit Europian për të mbajtur premtimin duke filluar bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

Pas vetos së Francës dhe skepticizmit të vendeve të tjera si Holanda apo Danimarka, Këshilli i BE-së nuk ra dakord për fillimin e bisedimeve të pranimit me të dy vendet.

Ndërsa tani që Komisioni plotësoi kërkesën e Francës për rishikimin e mënyrës së pranimit të vendeve kandidate, presidenti Macron tha se do ta heqë veton nëse raporti i Komisionit për të dy vendet është pozitiv.

Macron gjithashtu ka kërkuar që si Shqipëria ashtu dhe Maqedonia e Veriut të trajtohen njëkohësisht.

 

Fraksion.com