“97% e shqiptarëve mbështesin integrimin”; Balla: Halli personal i Metës nuk pengon dot rrugën evropiane të Shqipërisë
Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka folur sot para mediave lidhur me datën 2 mars kur presidenti Meta ka thirur popullin në bulevard. Balla dha një mesazh të qartë për klasën politike dhe për të ardhmen e vendit drejt BE.
Ai theksoi se në 26 mars priten lajme të mira nga Këshilli Europian, ndërsa shprehet se pritet drite jeshile per hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Balla tha se asnjë politikan apo individ nuk mund të pengojë dhe bllokojë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, pasi sipas tij, e mbështesin 97% e shqiptarëve.
“Rruga evropian e Shqipërisë që e mbështesin mbi 97% e shqiptarëve nuk mund të pengohet nga asnjë kapriço personale e kujtdo individi. Rruga evropiane Shqipërisë është sot më e sigurt se kurrë. Kemi ecur në momente të rëndësishme të këtij procesi. Gjatë qeverisjes së kryeministrit Rama Shqipëria mori statusin e vendit kandidat, për të cilën nuk bëhej fjalë para vitit 2013. Edhe pse brenda BE ka shumë divergjenca, që lidhen me ecurinë e procesit, të ardhmen europiane, e kujtoj se BE ka vendosur të thërrasë një konferencë për të ardhmen e Evropës, ku do jenë edhe Shqipëria me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ka politikanë, apo individë, të cilët harrojnë se halli personal nuk mund të mbivendoset mbi aspiratën historike të shqiptarëve për integrim. Prandaj, iu them shumë qartë të mos harxhoni më kohë kotë me transmetime pa fund histori idioteske, grushte e mosgrushte shteti, por do jemi në një moment ku vëmendja do të jetë te procesi i rindërtimit. Duhet të jemi të gjithë së bashku njëlloj si në ato ditë të vështira të pasgoditjes nga tërmeti, për t’u fokusuar te njerëzit që sot kanë më shumë nevojë se kurrë për solidaritet”, tha Balla.
Më tej, Balla tha se Presidenti është kthyer në një prej aktorëve të lidershipit të opozitës dhe e ka shndërruar Presidencën në një prej selive të opozitës në vend.
“Presidenti aktual i Republikës është një prej aktorëve të lidershipit të opozitës. Askush nuk e mohon në Shqipëri që Ilir Meta ka kohë që e ka shndërruar Presidencën në një prej selive të opozitës në vend. Për këtë, opozita ka lidershipin e saj, madje Meta mund të marrë pjesë lirisht në tryezat që Basha organizon me opozitën, brenda në selinë e PD. Ne kemi dakordësi me PD, lidershipin e saj zyrtar, për të vijuar bisedimet, ose përfshirjen e PD në procesin institucional të draftimit të një kodi zgjedhor. Do vijojë dhe një diskutim për të vlerësuar një kërkesë legjitime të aktorëve të rinj të krijuar në vend, siç është opozita parlamentare, për çështjen e sistemit zgjedhor, edhe pse unë them që ne kemi një sistem zgjedhor tejet të ri. Të paktën dy dekada janë të mjaftueshme për të testuar një sistem zgjedhor”, shtoi numri dy i PS.
Fraksion.com