Siri, nga sulmet e regjimit të Asadit fillon migrimi në rajonin Darat Izza
Si pasojë e sulmeve që regjimi i Bashar al Asadit dhe mbështetësit e tij kanë ndërmarrë ndaj rajonit Darat Izza në Halep që ndodhet brenda rajonit të deeskalimit Idlib në Siri, civilët e strehuar në këtë rajon dhe banorët e tij kanë filluar të migrojnë për të shpëtuar jetën e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Pasi me ndihmën e mbështetësve të tij mori nën kontroll pjesën më të madhe të Halepit perëndimor, regjimi i Asadit intensifikoi sulmet në rajonin Darat Izzah, një prej vendbanimeve të rëndësishme në këtë rajon.
Avionët luftarakë që shoqërojnë sulmet tokësore të regjimit, në orët e natës mbrëmë vendosën në objektiv nga ajri qendrën e rajonit Darat Izza dhe zonat përreth tij.
Civilët e strehuar në këtë rajon duke braktisur shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve në rajonin e deeskalimit Idlib, tani kanë mbetur të detyruar që edhe njëherë që të ndërmarrin rrugën e migrimit.
Një prej këtyre civilëve, Fattuh Ebu Muhammed, në një deklaratë për gazetarin e AA-të the se “Regjimi i Asadit na vrau, na zhvendosi nga vendbanimet tona. Pasi na dëboi nga rajoni Maarat Al-Numan, ne vajtëm në Darat Izza. Ndërsa tani po migrojmë sërish”.
“Nuk di se çfarë të bëj dhe ku të shkoj. Nuk kam as çadër dhe as ushqime për të ngrënë” tha Ebu Muhammed i cili është përgatitur për një migrim të ri duke mbledhur fëmijët, gratë, të moshuarit dhe disa sende.
“Ata që kanë mjet dhe vend për të shkuar migrojnë”
Edhe Ahmet Kasim një prej civilëve në Darat Izza është shprehur “Ata që kanë mjet dhe vend për të shkuar migrojnë. Po të tjerët ku do të shkojnë? Aktualisht 40 për qind e popullsisë këtu janë vendas, ndërsa pjesa tjetër kanë ardhur nga migrimi i detyruar”.
“Mallkoj vendet e Gjirit, regjimin e Asadit dhe Putinin. Në këtë rajon ka rënë dëshmorë vëllai im. Kam të njëjtën ndjenjë si në atë ditë. Allahu mos e sprovoftë njeri me zhvendosje”, theksoi Kasim.
Nuk u zbatuan marrëveshjet e Astanas dhe Soçit
Idlibi në veriperëndim të Sirisë, pothuajse që nga fillimi i luftës së brendshme ka qenë në cilësinë e kështjellës për opozitarët. Në mars të vitit 2015, opozitarët vendosën kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në 4 milionë për shkak të migrimeve të brendshme të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më shpesh sulmohet nga forcat e regjimit.
Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana, u shpallën 4 zona të deeskalimit, përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij në (Latakia, Hama dhe Halep), pjesa veriore e qytetit Homs, Guta Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.
Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë duke shkelur armëpushimin, përveç Idlibit morën nën kontroll zonat tjera të mbetura nga 4 rajonet për të cilët ishte vendosur që të ruhej situata e tyre. Si pasojë e sulmeve, qindra mijëra civilë u zhvendosën në veri në pjesët pranë kufirit me Turqinë.
Pasi forcat e regjimit përshpejtuan grumbullimin ushtarak në shtator 2018, Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën një marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin. Regjimi pas një kohe të shkurtër rifilloi sërish sulmet që kishte ndërprerë, dhe në maj 2019 filloi operacionin tokësor për të marrë nën kontroll të gjithë rajonin.
Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, në një deklaratë më 10 maj 2019, tërhoqi vëmendjen duke njoftuar se sulmet dhe provokimet në rritje të elementëve të regjimit në jug të Idlibit janë shndërruar në operacion tokësor që nga 6 maji.
Regjimi dhe mbështetësit e tij që nga kjo periudhë si rezultat i sulmeve intensive artilerike dhe sulmeve ajrore, krahas rajoneve të mëdha si Kafranbuda, Khan Shaykun, Maarat al-Numan, Saraqib morën nën kontroll edhe pjesën jugore dhe juglindore të Idlibit, pjesën veriore dhe periferinë lindore në Hama, pjesën jugore dhe periferinë perëndimore të Halepit si dhe shumë vendbanime të tjera.
Që nga Marrëveshja e Soçit më 17 shtator 2018 e deri më tani në sulmet e ndërmarrë në Idlib nga regjimi dhe mbështetësit e tij kanë humbur jetën më shumë se 1.800 civilë. Ndërsa numri i të zhvendosurve që nga janari 2019 e deri më tani ka arritur në 1 milionë e 942 mijë persona.
Fraksion.com