“Qveria bandë”; Tërhiqeet Meta: Në 2 mars paralajmërim i fundit; S’ka dekret?
Presidenti Ilir Meta duket se është zbutur pas zbarkimit në zyrë pasditen e djeshme të ambasadores së SHBA-së në Shqipëri Yuri Kim. Kreu i shtetit sot e ka nisur ditën me sulm kundër kryeministrit Edi Rama dhe thirrje për popullin për t’iu bashkuar në shesh në datë 2 mars në tubim, por duket se ka një tërheqje nga gjuha djeshme, që ishte e ashpër dhe kërcënuese.
E ndërsa dje, kreu i shtetit u shpreh se do të firmosë dekretin e parë në 2 mars kundër qeverisë, që e cilësoi bandë, për të ‘shpartalluar grushtin e shtetit’, sot Ilir Meta thotë se protesta do të jetë paralajmërimi i fundit për qeverinë. Në postimin e tij në Facebook Presidenti nuk flet më për dekretin që paralajmëroi dje dhe që e la enigmë duke mos e specifikuar nëse do të ishte për shpërndarjen e parlamentit.
“Të dashur qytetarë të Republikës së Shqipërisë! Agresioni pushtues i Rilindjes ndaj të gjithë institucioneve të pavarura në vend është një realitet i hidhur që secili prej jush e ndjen çdo ditë. Por kokëfortësia e saj për të pushtuar me çdo çmim dhe në mënyrë jo vetëm antikushtetuese por edhe mafioze Gjykatën Kushtetuese përbën qartë një grusht shteti, me qëllim instalimin e një diktature të pakicës që ka tmerr nga liria e popullit shqiptar dhe kërkon të zhdukë çdo mundësi demokratike për ndryshim dhe llogaridhënie.
Ndaj ju ftoj të gjithëve në 2 Mars, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” t’i japim paralajmërimin e fundit kësaj bande që nuk ka ditë që nuk përdhunon Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Nuk ka forcë në botë t’i kthejë shqiptarët 30 vite pas për të zbrazur Shqipërinë nga rinia jonë e mrekullueshme dhe për t’ia dorëzuar mafies ndërkombëtare të ardhmen e Atdheut tonë. Ndaj në 2 Mars të bëjmë një Besëlidhje të Re për t’ia kthyer sovranitetin e humbur popullit shqiptar dhe rivendosur demokracinë, llogaridhënien dhe sundimin e Kushtetutës. Shqipëria e para! Shqiptaria e shqiptarëve” shkruan Meta.
Pas thirrjes së presidentit për tubim antiqeveritar para kryeministrisë më 2 mars, ambasadorja amerikane, Yuri Kim i shkoi në zyrë krerëve politikë më të lartë të vendit, Metës, Ramës dhe Bashës, për t’i çuar mesazhin e fortë se duhet të tregojnë pjekuri, t’u besojnë proceseve demokratike dhe të sillen në mënyrë të përgjegjshme për të mirën e popullit shqiptar.
Fraksion.com