AktualitetTë fundit

Qeveria miraton Planin Kombëtar për Integrimin Europian 2020–2022

Këshilli i Ministrave miratoi Planin Kombëtar për Integrimin Europian (PKIE) për periudhën 2020–2022.

Sipas vendimit të qeverisë, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ngarkohet të bashkërendojë dhe të monitorojë zbatimin e këtij plani me grupet ndërinstitucionale të punës (GNPIE), për çdo kapitull.

Po ashtu, ministritë dhe institucionet e tjera koordinuese të GNPIE-ve raportojnë çdo muaj pranë Kryeministrit dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për ecurinë e zbatimit të PKIE-së 2020–2022.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ngarkohet të raportojë çdo 3 muaj, në Këshillin e Ministrave, për ecurinë e zbatimit të PKIE-së 2020–2022.

Sipas vendimit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme do të monitorojë përfshirjen nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore në programin buxhetor afatmesëm të nevojave financiare për zbatimin e përparësive afatshkurtra dhe afatmesme, të parashikuara në PKIE-në 2020–2022.

Legjislacioni i BE-së për masat afatmesme të planifikuara në PKIE-në 2020-2022 do t’i nënshtrohet procedurës të përkthimit nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

Vendimi parashikon shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Europian, 2019–2021”.

Po ashtu, ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore në varësi të Këshillit të Ministrave, për të cilat në PKIE-në 2020–2022 janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.

 

Fraksion.com