AktualitetPolitikëTë fundit

Prezantohet sistemi i integruar “E-Legislation”; Hysi: Procesi me konsultim publik

Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar një seminar prezantues për sistemin e integruar “E-Legislation”, pjesë e projektit “Mbështetje për Parlamentin  dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri”, që ka nisur të zbatohet nga prezenca e OSBE në vendin tonë me financim të qeverisë zvicerane.

Në aktivitet morën pjesë deputetë, përfaqësues të shërbimeve të Kuvendit, ekspertë dhe përfaqësues të misionit të OSBE-së, të cilët u njohën me risitë dhe mënyrën e funksionimit të këtij sistemi.

Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, e cila bëri dhe moderimin e aktivitetit, teksa nënvizoi progresin e arritur vitet e fundit në lidhje me ushtrimin e funksioneve legjislative, theksoi se projekti do të ndikojë në forcimin e rolit të Kuvendit të Shqipërisë, në kryerjen e funksioneve legjislative, mbikëqyrëse dhe përfaqësuese në mënyrë sa më efikase

“I gjithë procesi duhet të ketë transparencë, gjithëpërfshirje dhe konsultim publik”, nënvizoi Hysi.

Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Ulsi Manja e cilësoi takimin si shumë të rëndësishëm dhe projektin si një hap konkret drejt një reforme thelbësore për të gjithë praktikën parlamentare të dekadave të fundit. Më tej ai u ndal në risitë që do të sjellë sistemi në lidhje me integrimin e legjislacionit shqiptar në sistemet bashkëkohore, akses më të lehtë të ligjeve nga deputetët, por dhe rritje të aksesit të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes.

Robert Wilton, zëvendëskryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri duke u ndalur tek sfidat me të cilat përballen të gjitha parlamentet demokratike në të gjithë botën, theksoi se projekti synon forcimin e kapaciteteve të Kuvendit dhe krijimin e mundësive për përdorimin e një sistemi të integruar ligjesh dhe dokumentacioni parlamentar të digjitalizuar, çka do të rrisë efikasitetin gjatë hartimit dhe miratimit të legjislacionit, por gjithashtu do të ndikojë në forcimin e rolit mbikëqyrës dhe kontrollues ndaj institucioneve ligjzbatuese. Sipas tij, modeli i standardizuar që po përdoret gjerësisht në disa prej parlamenteve evropiane e institucioneve ndërkombëtare ka për qëllim të përmirësojë efikasitetin dhe llogaridhënien e institucioneve parlamentare.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, në fjalën e tij cilësoi si risi të këtij sistemi: rritjen e transparencës nëpërmjet  krijimit të një lidhjeje harmonike të procesit të ligjbërjes; rritjen e funksionit të mbikëqyrjes me vlerësimin postligjor të akteve, si dhe përçimit në kohë dhe me cilësi të informacionit që prodhojnë shërbimet e Kuvendit.

Prof.Monica Palminari, nga Universiteti i Bolonjës prezantoi për të pranishmit sistemin “AKOMA NTOSO”. Duke sjellë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, prof. Palminari bëri një ekspoze të plotë dhe të qartë të karakteristikave dhe veçorive të këtij sistemi në punën Parlamentare.

Ajo theksoi se, “AKOMA NTOSO” përfaqëson standardet e përbashkëta, që ofrojnë qasje të hapur në dokumentacionin parlamentar dhe lejojnë që Parlamentet të shkëmbejnë informacione në mënyrë më efikase, duke përcaktuar një format të përbashkët për një sërë dokumentesh.

Në përfundim prof. Palminari iu përgjigjë pyetjeve të të pranishmëve rreth sistemit./atsh

 

Fraksion.com